Ibrahimovic: Arsyeja pse jam ftuar në Sanremo është për t’i thyer të gjitha rekordet e shikueshmërisë

Prishtinë | 02 Mar 2021 | 21:44 | Nga Ekonomia Online

Zlatan Ibrahimovic nuk e di se çfarë e pret në Sanremo, mirëpo e di që me siguri do të argëtohet.

Futbollisti veteran do të marrë pjesë në festivalin e famshëm italian të këngës (që fillon sonte) gjatë kësaj jave.

Prezantuesi i njohur italian, Amadeus, është nikoqir i evenimentit dhe është shprehur i nderuar me praninë e 39-vjeçarit.

“Jam i nderuar për prezencën e Ibrahimovicit, ai është një kampion. Kampionët meritojnë të jenë kudo… Ne do ta takojmë njeriun Ibrahimovic, atë që nuk e njeh publiku italian”, ka deklaruar nikoqiri në një konferencë për shtyp.

Në anën tjetër, Zlatani ka theksuar se është shumë më lehtë të shënosh gola, sesa të ndihmosh në prezantimin e një festivali muzikor, porse beson se është në duar të mira.

“Kur më telefonoi Amadeus, nuk i thash jo, i thash po. Amadeus më tha të mos shqetësohem dhe të jem i qetë, duhet të jem vetja”.

“Është më lehtë të shënosh, jam në duar të mira me Amadeus dhe Fiorello. Nuk e di çfarë po më pret, por nuk shqetësohem. Nëse bëj ndonjë gabim, askush nuk mund të më gjykojë dhe nëse dal mirë, atëherë do të kem edhe një punë për kohën pasi ta lë futbollin”.

“Jam i entuziazmuar, nuk e di çfarë do të ndodhë, por padyshim se do të kënaqemi. Ka një arsye pse Amadeus më ka ftuar: sepse ai dëshiron t’i thyejë të gjitha rekordet dhe unë jam aty (për këtë gjë)”, ka deklaruar Ibra në një konferencë për shtyp.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme