Katër klube të Serie A marrin një leje për të ushtruar

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Bologna, Parma, SPAL-i dhe Sassuolo kanë marrë një leje për t’u kthyer në stërvitje më 4 maj. Lejen e ka lëshuar presidenti i regjionit të Emilia-Romagna, ka njoftuar Football-Italia të premten.

Por kjo nuk nënkupton se këto skuadra do të vazhdojnë stërvitjet prej 4 majit. Në Itali ka pasur përplasje të shumta së fundi lidhur me kthimin e futbollit. Kryeministri Giuseppe Conte ka thënë se vetëm sportet individuale mund të vazhdojnë prej asaj date.

Ministri i Sportit, Vincenzo Spadafora ka tërhequr vërejtjen të enjten se qeveria do të ndalojë futbollin nëse Federata dështon t’i përmbahet protokollit shëndetësor.

Por Stefano Bonaccini ka nënshkruar një urdhër që lejon sportistët profesionistë të ushtrojnë individualisht, duke mbajtur distancën sociale.

Emilia Romagna është regjion në veri-lindje të Italisë, rreth 200 kilometra larg Lombardisë, që ishte epiqendra e përhapjes së koronavirusit në Itali.

Ky regjion ka numrin e dytë më të madh të vdekjeve nga Covid – 19, por sa i takon rasteve aktive qëndron prapa dy regjioneve tjera.

Në Emilia e kanë selina katër klube të Serie A: Bologna, Parma, SPAL-i dhe Sassuolo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme