Mourinho pranon se ka shkelur rregullin e mbajtjes së distancës sociale

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho ka pranuar se veprimet e tij nuk kanë qenë në vijë me protokollin e qeverisë, pasi është fotografuar duke shkelur rregullin e mbajtjes së distancës sociale për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, shkruan BBC, transmeton Koha.net.

Mourinho është fotografuar duke drejtuar një seancë stërvitore me Tanguy Ndombelen e Hadley Commonin.

Davinson Sanchezi dhe Ryan Sessegnon janë xhiruar duke vrapuar së bashku në parkun e njëjtë në Londër.

Serge Aurier po ashtu postoi një video në Instagram duke vrapuar me një person tjetër.

Nga Tottenhami kanë njoftuar se kanë folur me lojtarët dhe u kanë thënë të respektojnë dispozitat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Unë e pranoj se veprimet e mia nuk ishin në vijë me protokollin e qeverisë dhe se duhet të kemi kontakt vetëm me anëtarët e familjes sonë me të cilët jetojmë në shtëpi”, ka thënë Mourinho. “Është kyçe që të gjithë të luajmë rolin tonë dhe të ndjekim këshillat e qeverisë për të përkrahur heronjtë tanë në NHS dhe të shpëtojmë jetë”, ka thënë Mourinho.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan ka thënë se lojtarët dhe Mourinho duhet të japin shembull.

Premier League është pezulluar që nga marsi për shkak të pandemisë.

“Gjithë lojtarëve tanë i është rikujtuar të respektohet distanca sociale kur ushtrojnë jashtë. Ne duhet të forcojmë këtë mesazh”, ka thënë zëdhënësi i Tottenhamit.

Duke folur për BBC, kryebashkiaku Khan ka thënë: “Shqetësimi im është se njerëzit, në veçantë fëmijët që mund të jenë adhurues të Tottenhamit apo të futbollit, do të shohin këto imazhe, dhe do të thonë se nëse është në rregull për ta atëherë është edhe për ne”.

Sipas dispozitave nëse njerëzit duhet të dalin jashtë atëherë duhet të mbajnë distancë prej më tepër se 2 metrave nga njerëzit tjerë, me përjashtim të atyre me të cilët jetojnë.

Të ngjashme