Stavileci: “Z Mobile Prishtina” arriti sukses të jashtëzakonshëm për sportin dhe shtetin tonë

Prishtinë | 09 Shk 2019 | 12:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Klubi i basketbollit “Z Mobile Prishtina” ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me kualifikimin historik në mesin e 16-të ekipeve më të mira në FIBA Europe Cup, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Klubit të basketbollit “Z Mobile Prishtina”, Blerand Stavileci, ka thënë se ky sukses është i jashtëzakonshëm jo vetëm për Klubin, por edhe për Kosovën.

“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për sportin dhe shtetin tonë. Në ndeshjen e fundit kemi luajtur kundër një ekipi i cili ka qenë pjesëmarrës në Euro Ligë. Nuk ka qenë e lehtë, ne gjatë këtij edicioni kemi luajtur 14 ndeshje ndërkombëtare me një bilanc pozitiv , kanë ardh ekipe kampion e nënkampion, të gjitha shtete të njohura dhe të fuqishme në basketboll, të gjitha minimum nganjëherë i kemi mposhtur”, tha ai.

Ai i përmendi edhe vështirësitë financiare ngase siç tha kanë mungesa buxhetore, por megjithatë nuk i kanë borxh askujt.

Stavileci falenderoj nga zemra PLISAT për atmosferën e krijuar në ndeshjen ndaj Pinar Karsiyaka, duke thënë se ata me përkrahjen e tyre ishin vendimtarë që u shkrua Historia.

“Z-mobile Prishtina ka arrit që ta mposht një pjesë të këtyre ekipeve me nam dhe ka arrit që të jetë pjesë e 16 vendeve më të mira. Ka shumë shtete që nuk janë kualifikuar e që kanë fuqi më të madhe si shtet. Ne kemi qenë një prej shteteve më me pak buxhet, por e kemi mbërri këtë sukses. Tifozët Plisat janë bindshëm tifozeria më e mirë. Në rrafshin financiar jemi shembull sepse Klubi nuk i ka borxh askujt”, tha Stavileci, raporton EO.

Ai thotë se kjo fitore do të jetë reklamë e madhe për Kosovës. Ai foli edhe për ndeshjen e cila pritet të zhvillohet me 6 mars.

“Kjo do të jetë reklamë e madhe për Kosovën. Për herë të parë një ekip Italian vjen te ne. Kemi edhe një muaj para ndeshjes dhe ka interesim shumë të madh”, tha ai.

Ai i ka quajtur spekulime deklarimet e fundit se ky Klub është në krizë.

“Jemi më mirë se asnjëherë më parë, kemi arrit rezultat të mrekullueshëm dhe të gjitha spekulimet se ka krizë i hedhim poshtë”, u shpreh ai.

Ndërkaq kur u pyet për prurje të reja në këtë klub, Stavileci tha se është vështirë që të binden lojtarët për të ardhë këtu. Ai ndër të tjera përmendi edhe kushtet jo të mira në salla ku zhvillohet loja.

Drejtori  i Klubit të basketbollit “Z Mobile Prishtina”, Florian Miftari, ka folur për zëvendësimet që pritet të bëhen para datës 6 mars kur pritet të zhvillohet loja me ekipin italian.

Ai shpreson se pozita 1 do ta ketë lojtarin brenda javës që vjen.

“Pozitën 1 shpresoj se do ta kemi lojtarin brenda javës dhe shpresoj se edhe pozitën 4 ta përforcojmë mirë”, ka thënë ai.

Trajneri i Klubit të basketbollit “Z Mobile Prishtina”,Damir  Mullameroviq, tha se krenohet për fitoren që ka arritur ky Klub. Ai thotë se do të mundohet që ta arrijë më të mirën për Kosovën.

“Unë krenohem se jam pjesë e këtij Klubi. Ne po bëjmë dhe do të bëjmë punë të mirë për Kosovën në sport. Ne do të bëjmë përpjekje të bëhemi gati për lojën që do të zhvillohet. Unë jam shumë krenar që secili nga Klubi ishin të mrekullueshëm në lojë”, tha ai.

Të ngjashme