Te Reimsi të befasuar me rritjen e shpejtë të Zenelit

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Reprezentuesit të Kosovës, Arbër Zeneli, nuk i është dashur shumë kohë për të shpërthyer te skuadra e Ligue 1, Reims. Në gjashtë paraqitje, tri prej të cilave ishte titullar, Zeneli ka shënuar dy gola dhe ka bërë tri asistime, duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë e trajnerit David Guion. Zeneli është imponuar edhe te mediat më të fuqishme të këtij vendi me formën e tij.

Trajneri Guion ka thënë se kur klubi e ka transferuar Zenelin gjatë janarit nga Heerenveeni, nuk ka pritur një shpërthim të tillë. Sipas tij, synimi ishte që të integrohej gradualisht në ekip, në mënyrë që të përgatitej për edicionin e ardhshëm – 2019/20, shkruan sot Koha Ditore.

Guion ka pranuar se të gjithë te skuadra e Reimsit janë befasuar për të mirë me Zenelin, që sipas tij pritet të jetë një prej armëve kryesore për të arritur synimet këtë edicion. Reimsi aktualisht zë vendin e pestë në Ligue 1 me 43 pikë dhe është vetëm katër pikë larg vendit të katërt që edicionin e ardhshëm siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme