Tenistët shkëmbejnë raketat me kontrollorin e video-lojërave

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 09:52 | Nga Ekonomia Online

Tenistët elitarë do të shkëmbejnë raketat me kontrollorë të video-lojërave këtë muaj, pasi organizatorët e turneut të anuluar “Madrid Open” kanë njoftuar se do të organizojnë ngjarjen online për të mbledhur fonde për tenistët profesionistë që janë në vështirësi financiare shkaku i pezullimit të sportit.

Stinori në tenis është pezulluar nga fillimi i marsit për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke lënë tenistët e rangjeve më të ulëta në vështirësi të mëdha financiare, pasi ata mbështeten kryesisht në fitimet nga turnetë.

ATP-ja dhe WTA-ja që organizojnë garat elitare të tenisit në konkurrencë të meshkujve përkatësisht të femrave, kanë pezulluar gjithë turnetë deri së paku në mesin e korrikut, pasi shtetet kanë mbyllur kufijtë për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Madrid Open”, që është turneu Masters 1000 dhe që ishte paraparë të organizohej në maj, u anulua.

Mirëpo, turneu tash do të mbahet me anë të videolojës Tennis World Tour nga 27 deri më 30 prill.

“Tenistët më të mëdhenj të skenës botërore do të përballen nga shtëpitë e tyre”, është thënë nga ATP Tour.

Ndërkohë organizimin e turneut online e ka konfirmuar edhe drejtori i “Madrid Open”, Feliciano Lopez.

“Ne kemi organizuar një turne për lojtarët profesionistë, pa pasur nevojë që ata të largohen nga shtëpitë e tyre. Nuk është synimi vetëm për të argëtuar, por duam të ndihmojmë pak gjatë kësaj periudhe që është aq e vështirë për të gjithë”, ka thënë Lopez.

Me sportetet nëpër botë të pezulluara shkaku i koronavirusit, disa kanë zgjedhur video-lojërat për të mbledhur fonde dhe për të argëtuar tifozët.

La Liga ka organizuar së fundi një turne online në futboll, ndërsa Formula 1 po ashtu po mban gara virtuale.

Turneu online i tenisit, ku ende nuk janë konfirmuar pjesëmarrësit, do të ketë 16 garues në konkurrencë të meshkujve e po aq në të femrave dhe do të ofrojë një fond shpërblimi 150 mijë euro.

Fituesit do të vendosin se sa duan të japin donacion për profesionistët tjerë, ndërsa 50 mijë euro shtesë do të shkojnë për reduktimin e ndikimit social të COVID-19.

Pos garës zyrtare, më tepër fonde do të mblidhen nëpërmjet meçeve bamirësie, ku disa nga emrat e mëdhenj do të luajnë mes vete në video-lojëra.

Si WTA ashtu edhe ATP kanë mirëpritur këtë koncept dhe kanë thënë se do të ofrojë ndihmë aq të nevojshme për profesionistët që luajnë në nivele më të ulëta.

“Ne po shikojmë para te loja virtuale, që mund të shërbejë si burim argëtimi e po ashtu të zvogëlojë dallimin derisa tenisi të kthehet, e po ashtu do të ofrojë mundësi për të ndihmuar tenistët në nevojë gjatë këtyre kohëve sfiduese”, ka thënë shefi-ekzekutiv i WTA-së, Steve Simon.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme