Sportisti rus, Aleksandr Krushelnitsky, do të kthejë medaljen e bronzit, të fituar në Lojërat Olimpike Dimërore në Pjongçang, pasi ka dalë pozitiv në testet për drogë.
Krushelnitsky, bashkë me gruan e tij, Anastasia Bryzgalova, kanë fituar medaljen në karlling.
Zëdhënësja e Federatës ruse në Karlling, Valentina Parinova, tha se në urinën e sportistit është gjetur substanca e ndaluar meldonium dhe, për rrjedhojë, medalja do të kthehet.
Gjykata e Arbitrazhit për Sport ka caktuar për sot një seancë dëgjimore për rastin e Krushelnitskyt, por ky i fundit ka thënë se do të heqë dorë nga e drejta për seancë.
Rasti kundër sportistit 25-vjeçar është hapur me kërkesë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.