Gatishmëria e Veselit që të heqë dorë nga gara për kryetar të Kuvendit, është sprova e radhës po edhe gabimi i tij i radhës. Prandaj, ai nuk duhet të heq dorë nga konkurrimi, pasi partia që drejton e ka të drejtën kushtetuese ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ishte dhe vazhdon të mbetet figura më e sprovuar nga zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Në fakt, ato zgjedhje Veseli i provokoi vetë, sigurisht në bazë të ndonjë përllogaritjeje, e cila doli të jetë e gabueshme. Për shkak të lëvizjes tinëzare që bëri Behxhet Pacolli, duke u futur nën sqetullën e LDK-së, Veseli u shtrëngua të bënte një koalicion të minutave të fundit të afatit, me AAK dhe Nismën, duke hequr dorë nga konkurrimi për kryeministër. Tek heqja dorë nga gara për kryeministër, si lideri i partisë më të madhe, filloi sprova e tij, e cila nuk ka përfunduar ende.
Ndonëse u vlerësua si gjest zemërgjerë, heqja dorë nga gara për kryeministër, politikisht nuk ishte i favorshme për Veselin e as për partinë që e drejton. Rezultati i dobët në zgjedhje, ndër të tjera ka ardhur nga demotivimi i anëtarësisë nga ajo tërheqje, si dhe nga ai koalicion i papërgatitur mirë. Edhe përgjysmimi i listës së kandidatëve e ka pasur tagrin e vet në rezultat. Aq më tepër që PDK duke qenë për tre mandate rresht në qeverisje, ka krijuar struktura klienteliste, që në shumë raste shikojnë më shumë hesapet e veta se sa interesat e partisë.
Në kalkulimin ndërmjet synimit për ta forcuar pozitën e liderit të partisë dhe synimit për të mbetur PDK pjesëmarrëse në qeverisjen e vendit, Kadri Veseli ka zgjedhur opsionin e dytë. Kjo i ka kushtuar jo pak.
Në fakt, po të synonte forcimin e pozitës së liderit të PDK-së, Veseli do të duhej të shkonte i vetëm në zgjedhje, qoftë dhe duke e ditur se do të përfundonte në opozitë. Rezultati i partisë në zgjedhjet e 11 qershorit do të mund të ishte më i mirë, ndërsa Veseli do të fitonte mundësinë që të fillonte një proces rrënjësor të reformimit të partisë. Pozita e tij si lider do të cimentohej dhe nëse do të bënte reformat e duhura, rikthimi i PDK-së në pushtet do të ishte i pritshëm. Duke zgjedhur “interesin shetëror” para “interesit partiak”, me rezultatin e dobët zgjedhor dhe me zhvillimet bllokuese që pasuan, realisht ka filluar të rrezikohet interesi shtetëror i Kosovës, po edhe interesi partiak i PDK-së. Kjo nuk ka ndodhë ende, por ka rrezik të ndodhë. Pse?
Nëse Kadri Veseli nuk votohet për kryetar të Kuvendit, për shkak të inateve personale të Isa Mustafës dhe të “Lëvizjes “Vetëvendosje!”, atëherë tensionet politike do të ngrihen edhe më shumë.
Bllokimi do të dëmtojë imazhin dhe interesin e Kosovës. Në këtë kontekst, gatishmëria e Veselit që të heqë dorë nga gara për kryetar të Kuvendit, është sprova e radhës po edhe gabimi i tij i radhës. Prandaj, ai nuk duhet të heq dorë nga konkurrimi, pasi partia që drejton e ka të drejtën kushtetuese ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kjo është e drejtë ekskluzive e saj, të cilën ajo nuk ka pse t’ua lërë në dorë kundërshtarëve politikë, sepse ashtu besimi i anëtarësisë dhe simpatizantëve ndaj liderit e edhe ndaj parties, do të lëkundej seriozisht. Pra, Veseli dhe koalicioni PAN duhet ta mbrojnë pozicionin e tyre që buron nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ashtu mbrojnë edhe kushtetutshmërinë, pra interesat shtetërore të vendit, nga rreziku që ato të bëhen pjesë e mujsharisë partiake. Por, kjo vërtet nuk është një sprovë e lehtë për Kadri Veselin personalisht, sepse në sytë e një pjese të qytetarëve, që nuk kanë ndiesi për respektimin e kushtetutshmërisë, do të duket si dikush që me çdo kusht synon karrigen. Në një ambient të ndotur politikisht e moralisht, sikundër është ky yni, kjo barrë nuk bartet edhe aq lehtë. Prirja bizantiniste e turmave, e stimuluar nga propaganda dhe lufta speciale e kundërshtarëve politikë të Veselit, nuk përballohen aq lehtë. Përveç me çmimin që PDK të fillojë të përdorë edhe vetë propagandën dhe luftën speciale, gjë që në rastin me Shpend Ahmetin edhe ka filluar ta zbatojë. Por, kthimi në ato istikame vërtet do të ishte shumë i dëmshëm për skenën politike dhe rrjedhimisht edhe për gjithë vendin.
Zgjidhja e duhur gjithsesi mbetet që Kadri Veseli të mos tërhiqet nga gara për kryetar të Kuvendit, ndërsa koalicioni PAN të hap mundësi të reja të përfshirjes së subjekteve të tjera në koalicion, duke e paguar një çmim, por jo me pozitën e kryetarit të Kuvendit. Ndërsa, në partinë që e drejton, Veseli nuk duket se ka probleme, meqë kjo është humbja e tij e parë. Për dallim nga Isa Mustafa, i cili i ka humbur tre palë zgjedhje rresht dhe ende nuk ka sfidant në LDK, Veseli realisht nuk duhet të ketë sfidant në këtë periudhë, sepse PDK as që guxon të mendojë në këtë moment për ndërrimin e liderit. Një gjë e tillë do ta ekspozonte drejt rrezikut të fragmentimit. Ndërsa, Veseli si lider i PDK-së e ka testin e radhës me zgjedhjet lokale. Por, rezultati i zgjedhjeve lokale do të varet në një masë të konsiderueshme edhe nga mënyra se si do të zgjidhet kriza parlamentare, ku Veseli është protagonist. Ai e ka rastin të tregojë liderizëm, të kombinuar me fleksibilitet e vullnet të mirë, por kurrsesi në dëm të vetes. Nëse ka treguar zemërgjerësi ndaj koalicionit të vet (duke hequr dorë nga kandidimi për kryeministër) nuk ka arsye të tregojë zemërgjerësi ndaj kundërshtarëve, që ndaj tij shprehin mosdurim e urrejtje personale. Aq me pak në këtë rast, kur kandidimi i tij është saktësisht në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. (Gazeta Express)