Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca paralajmëron qytetarët për erëra të forta që pritet të përfshijnë Prishtinën të enjten nga mesdita deri në orët e mbrëmjes.
Paralajmërimet për erëra të forta të enjten në Prishtinë, Komuna apelon për kujdes

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), era do të fryjë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa herë pas here mund të ketë edhe shpërthime më të fuqishme.
Përveç erës, gjatë së enjtes parashihen edhe reshje të lehta shiu me ndërprerje. Era pritet të nisë të forcohet që nga mbrëmja e së mërkurës, ndërsa të premten gradualisht do të dobësohet.
Për këtë arsye, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të sigurojnë vazot, mobiliet e lehta dhe sendet e tjera në ballkone, tarraca e oborre.
Qytetarëve u rekomandohet gjithashtu të shmangin qëndrimin pranë pemëve të mëdha, skelave dhe tabelave reklamuese gjatë forcimit të erës.
Ndërkaq, drejtuesit e automjeteve këshillohen të përshtatin shpejtësinë dhe të kenë kujdes të shtuar në rrugët e ekspozuara ndaj erës.
Për raportimin e rasteve emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën Operative Emergjente të Kryeqytetit, e cila funksionon 24 orë në ditë, në numrat 0800 122 33 dhe 0800 122 44.













