Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë ka njoftuar se do të vijojnë bojkotin e procesit mësimor. Këtë, kanë deklaruar se po e bëjnë për t’i mbrojtur studentët dhe interesin e fakultetit.
Studentët e mjekësisë paralajmërojnë vazhdimin e bojkotit

“Bojkotimi i procesit mësimor është një nga masat më të rënda që mund të ndërmarrë një student. Është një veprim që dëmton si Fakultetin, ashtu edhe vetë studentët. Megjithatë, mbrojtja e të drejtave të studentëve dhe e interesit të Fakultetit është parakusht për një proces akademik të mirëfilltë”, thuhet në njoftim.
Ata kanë paralajmëruar se bojkoti duhet të vazhdojë deri në momentin kur Rektorati të pranojë parimin themelor, që sipas tyre është që Fakulteti i Mjekësisë nuk mund të jetë peng i vendimeve të njëanshme dhe imponuese.
“Duke qenë të bindur se kërkesa jonë është e drejtë dhe plotësisht e arsyeshme, si dhe të vetëdijshëm se bojkotimi përbën një formë proteste ndaj një qasjeje imponuese dhe të dëmshme, konsiderojmë se bojkoti duhet të vazhdojë deri në momentin kur Rektorati të pranojë një parim themelor: Fakulteti i Mjekësisë nuk mund të jetë peng i vendimeve të njëanshme dhe imponuese”, thuhet në njoftimin e tyre.
Këshilli thekson se çdo vendim që ndikon drejtpërdrejt në jetën akademike të studentëve duhet të paraprihet nga konsultimi me ta.
Theksojnë se nëse ekziston një zgjidhje alternative që funksionon më mirë dhe i përgjigjet më drejt nevojave të studentëve, ajo duhet të merret në konsideratë dhe të zbatohet.
Sipas tyre, vendimmarrja duhet të udhëhiqet nga interesi i studentëve, cilësia e procesit akademik dhe e ardhmja e Universitetit, e jo nga imponimi i vendimeve të njëanshme.
“Ju falënderojmë secilin prej jush për solidaritetin dhe vendosmërinë. Mbi 97% e studentëve i janë bashkuar kësaj kauze të përbashkët, në mbrojtje të interesit tonë të përbashkët dhe të një parimi që nuk duhet të vihet kurrë në diskutim: studenti duhet të jetë në qendër të Universitetit”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës nuk duan të evidentojnë vijueshmërinë përmes QR-Kodeve dhe për këtë, të mërkurën, më 11 nëntor, kanë nisur bojkotin e procesit mësimor. E nga Rektorati kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga digjitalizimi i evidentimit.
















