Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, së bashku me disa zyrtarë nga kabineti i saj dhuruan gjak para festave të fundvitit.
Hoxha u bëri thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak në mënyrë që të shpëtohen jetë. Madje ajo apeloi që të vozitësit të kenë kujdes gjatë festave që të evitohen aksidentet, raporton Ekonomia Online.
“Qëllimi kryesor pse kemi zgjedhur sot apo para fundit të vitit të dhurojmë gjak është sepse duhet ta përçojmë mesazhin dhe të bëjmë thirrje që të gjithë qytetarët të japin gjak sepse dhurimi i gjakut shpëton jetë, e posaçërisht gjithashtu para fundit të vitit të apelojmë edhe tek qytetarët të kenë kujdes sepse aksidentet më të mëdha po ndodhin përgjatë festave”, tha ministrja.
Ndërkaq drejtoresha e transfuzionit të gjakut Bukurie Zhubi, tha se në këtë kohë, është shumë i nevojshme dhurimi i gjakut.
“Fillimisht dëshiroj ta falënderoj për mirëseardhje dhe njëkohësisht t’i falënderoj për mundësin që ju ka dhurua personave të cilët janë në nevojë për gjak dhe për produkte të gjakut me të cilën ka mundësua që pacientet të trajtohen me sasi të mjaftueshme të gjakut”.
“Jemi në prag të festave të fundvitit ku kërkesat për gjak normalisht që janë në kuadër sikurse edhe çdo vit tjetër kemi kërkesa por gjithmonë në këtë periudhë përballemi me sasi më të vogla të gjakut sikurse edhe në çdo vend tjetër të botës”, tha drejtoresha e transfuzionit të gjakut”.