Studiuesja dhe profesoresha Jade McGlynn, në një shkrim të djeshëm në ditoren “The Guardian” ka shkruar se rusët ende e përmendin Josif Stalinin si lider të pakorruptuar, si njeri që kishte fuqi morale për të bërë gjithçka që duhej të bëhej. Kjo ma kujtoi një skenë nga filmi “Stalini” (1992). Kur gruaja e Stalinit, Nadezhda, udhëtonte me tren dhe sheh sesi fshatarët në mënyrë masive internoheshin, një grua e shkretë vrapon duke i thënë: “Tregoi shokut Stalin se çfarë po ndodh. Tregoi se na i kanë marrë tokat, ushqimin, jetën. Po na largojnë. Shoku Stalin këtë nuk e di”! Kështu, pa vetëdije amnistohej e keqja dhe shpresa ende shihej tek i keqi.
Disa vite më parë, Alec Luhn ka shkruar se si nxënësit rusë e çmojnë Stalinin si njeri të madh, duke mos e konsideruar fare si të tmerrshëm. Ai përmend se si në sondazhe po shtohet përqindja e njerëzve që mendojnë se Stalini ka sjellë më shumë të mira se të këqija, me shumicën që mendon se ai ka luajtur rol pozitiv në Rusi.
Si është e mundur kjo? Si u bë që të harrohen miliona të vrarë (së paku 15 milionë) e miliona të dërguar në gulagë? Si mund të rehabilitohet një nga njerëzit më mizorë të Rusisë?
Rehabilitimin e bëri Vladimir Putini, i cili me mbrojtjen e Stalinit e mbronte pushtetin e vet, duke e mbështetur idenë se interesi kolektiv shkon përtej jetës së individëve. Dhe, për këtë qëllim përmendeshin çdo herë e më pak faktet për vrasjet dhe për gulagët, për të cilat madje ka pasur diskutime edhe gjatë komunizmit. Kështu, siç thotë analisti Ily Budraitskis, Stalini u bë guaskë e zbrazët që mund të mbushet me gjëra të ndryshme.
Pra, Putini e shpërfilli të vërtetën. I shtyri njerëzit të harrojnë dhe të jetojnë, siç ka thënë Angela Merkel, në tokën e tij të fantazisë. Kështu, shumica e popullit e humbi arsyen e shëndoshë, gjë që shihet me sondazhet e fundit që tregojnë se 75 përqind e rusëve mbështesin luftën në Ukrainë. Ndaj, mund të thuhet se kur e keqja e madhe kapton një herë një vend, edhe gjeneratat e ardhshme e kanë problem të shohin qartë.
Nuk duhet harruar se edhe Putini në fillim perceptohej si i pakorruptuar. Ai madje pushtetin e forcoi duke miratuar ligje dhe duke organizuar fushata kundër-korrupsionit. Por, raportet e vitit të kaluar thonë se korrupsioni është endemik në Rusi. Ndërsa, ndër vite, regjimi i Putinit është cilësuar si kleptokraci, oligarki dhe plutokraci.
Korrupsioni është mjet me të cilin luajnë edhe populistët. Aq shumë flasin për të, saqë ia humbin edhe kuptimin kësaj fjale. Studiuesi Niklas Kossow ka thënë se përmendja e korrupsionit jep idenë se elitat politike po i shërbejnë vetes dhe po punojnë kundër popullit. Kjo, nga ana tjetër, forcon narrativën populiste dhe ua lejon populistëve të paraqiten si mbrojtës të popullit kundër elitave. Por, ajo që është e diskutueshme, sipas Kosslowit, është se sa efektivë janë liderët populistë në luftimin e vërtetë të korrupsionit. Sepse, teksa premtimet kundër korrupsionit shërbejnë për të sjellë populistët në detyrë, këto premtime harrohen sapo këta liderë e marrin pushtetin, ndërsa diskursi i tyre përçarës më pas shërben si maskë për t’i mbuluar marrëveshjet e veta korruptive dhe ndonjëherë edhe disa lloje të reja korrupsioni. Pra, për disa edhe korrupsioni është guaskë e zbrazët. Mbushet, sidomos me gënjeshtra, sepse siç thotë një studim, individët kanë më shumë gjasa të gënjejnë nëse jetojnë në një vend me nivele të larta korrupsioni dhe të mashtrimeve institucionale dhe se institucionet e administruara mbrapsht e dëmtojnë shoqërinë në më shumë mënyra sesa dyshohej më parë. Shembull për këtë është Syriza e Greqisë që u ngrit shpejt në pushtet gjatë krizës së borxhit grek, duke i fajësuar për çdo dështim rivalët, si dhe BE-në, me deklaratat se janë shpresa e vetme që do t’ia kthejë mirëqenien dhe nderin Greqisë. Por, gjithçka ndryshoi kur ata e morën pushtetin dhe vendin e futën në krizë edhe më të madhe.
E, a ishte Stalini i korruptuar?
Po, siç ishte regjimi i tij, për çfarë ka shumë dëshmi. Studiuesi James Heinzen thotë se tradita e korrupsionit në Rusi është trashëguar nga Bashkimi Sovjetik dhe se ka vazhduar në çdo sferë të jetës. Sipas tij, në kohën e Stalinit, aktivitetet e ilegale, ryshfeti, vjedhja e pronës shtetërore u rrënjosen në sistemin sovjetik.
Pra, korrupsioni që ka shkaktuar ai, ka prekur edhe gjeneratat e ardhshme. Sepse, kjo fjalë nuk ndërlidhet vetëm me materialen. P. sh. Sokrati thuhet se është akuzuar për korruptimin e rinisë së athinasve, sepse u kërkonte atyre të mendojnë në mënyrë kritike, të kërkojnë përgjegjësi dhe ta sfidojnë autoritetin. Korrupsion bëjnë edhe klerikët duke manipuluar me mësimet fetare për qëllime personale apo të pushtetit. Për myslimanët, versionet e sotme të librave të shenjtë që i paraprijnë zbritjes së Kuranit, janë të modifikuara apo të korruptuara. J. Peter Euben, kur flet për korrupsionin e rinisë, përmend edhe politizimin e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Orwelli ka thënë se nëse mendimi korrupton gjuhën, gjuha po ashtu korrupton mendimin … Ndërkaq, mënyra se si Stalini u ngrit në pushtet dhe si e mbajti pushtetin ishte e çoroditur, pra e korruptuar. Për të tillët që me çdo kusht duan ta mbajnë pushtetin, psikologu Dacher Keltner thotë se futen në gjendje maniake – të ndihen të mëdhenj, energjikë, të gjithëfuqishëm, të uritur për shpërblime dhe imunë ndaj rrezikut, gjë që i nxit drejt veprimeve të pamatura dhe joetike.
Për ta kuptuar se korrupsioni nuk ndërlidhet vetëm me materialen, vlen ta citojmë edhe fjalorin e gjuhës shqipe që me fjalën korruptim po ashtu nënkupton ta prishësh dikë nga ana morale dhe ta shtysh të marrë rrugën e keqe për qëllime të caktuara. Pra, korrupsioni ndërlidhet edhe me theqafjen e shoqërisë.