Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, sa herë flitet për marrëveshjen finale me Kosovën kërkon një zgjidhje kompromisi derisa thekson se shteti që drejton nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Ky qëndrim i kreut të shtetit serb bie ndesh me kërkesën amerikane, meqë Washingtoni kërkon një finale Kosovë-Serbi me njohje reciproke.
Por çfarë thonë në Bruksel për qëndrimin e Vuçiqit “kurrë nuk e njohim Kosovën” dhe a synon edhe Bashkimi Evropian, njëjtë sikurse SHBA-ja, që procesi të përmbyllet me njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Stano ka thënë për Express se nuk i komentojnë deklaratat e Vuçiqit, derisa thekson se synimi kryesor i BE-së është arritja e një marrëveshje gjithpërfshirëse ligjërisht obligative.
“Ne zakonisht nuk komentojmë deklarimet e të tjerëve. Ne jemi të fokusuar për ta bërë më të mirën për t’i ndihmuar partnerët tonë në Beograd dhe Prishtinë për të proceduar me dialog drejt objektivit kryesor që është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka zëdhënësi i BE’së për Gazetën Express, Peter Stano.
I pyetur nëse Bashkimi Evropian ka ndonjë limit kohor se deri kur duhet të arrihet marrëveshja finale dhe se cilat janë pritjet e z. Miroslav Lajcak nga procesi i negociatave, Stano ka thënë se u takon dy palëve të vendosin për ritmin, por shton se qëndrimi i BE-së është se nuk duhet humbur kohë.
“U takon palëve të vendosin për ritmin. BE-ja beson se s’ka kohë për t’u humbur ”, ka përfunduar Peter Stano për Gazetën Express.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, më 15 qershor, megjithatë pa kurrfarë përparimi.
Kurti pas takimit ka njoftuar se kishte propozuar 4 pika si qëndrime të Kosovës, ku përfshihet shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA, nënshkrimi i një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia zotohen që të mos e sulmojnë njëra-tjetrën, zgjidhja për pakicat në Kosovës përmes Këshillit Nacional, dhe të pagjeturit e të zhdukurit.
Derisa Vuçiq s’ishte pajtuar me asnjë prej propozimeve të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, derisa kishte treguar se Kurti e kishte përsëritur disa herë kërkesën që Serbia ta njohë Kosovën.
Të dy do të takohen përsëri më 25 korrik me ndërmjetësimin e emisarit të BE’së, Miroslav Lajçak. Këtë proces të ndërmjetësimit të sllovakut e mbështesin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Philip Reeker sot nga Ohri ka thënë se përkrahin punën e Lajçak duke kujtuar se ky i fundit bashkëpunon me Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.