Statistika alarmuese: Për katër muaj, tetë vrasje e 24 tentim vrasje

Prishtinë | 06 Maj 2019 | 22:46 | Nga Ekonomia Online

Statistikat e Policisë së Kosovës janë mjaft alarmuese për vrasjet dhe tentim vrasjet.

Pavarësisht se ekzistojnë ligjet dhe institucionet e drejtësisë që qytetarët të zgjedhin paqartësitë apo problemet që i kanë mes vete, si duket kosovarët kanë vendosur që vet t’i “qërojnë” hesapet.

Vrasja e cila më së shumti tronditi tërë opinionin ishte ajo e 22 prillit, kur në lagjen Dardania në Prishtinë, një person kishte vrarë bashkëshorten e tij, gruan e djalit e në fund veten, shkruan lajmi.net.

Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, sipas Nenit 179 “Vrasje e rëndë”, vetëm në katër muajt e parë të këtij viti në vendin tonë janë evidentuar 6 vrasje të rënda dhe 2 tentim vrasje të rënda.Policia e Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net, se në këtë periudhë në bazë të Nenit 178 “Vrasje”, në vendin tonë janë evidentuar 2 vrasje dhe 22 tentim vrasje.Sipas policisë, vrasjet janë tejet shqetësuese dhe janë duke u shkaktuar nga motive të ndryshme.

“Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë tepër shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë për lajmi.net.

Pavarësisht se Policia e Kosovës në vazhdimësi ndërmerr veprime konkrete për parandalimin e vrasjeve, kjo nuk po i bind qytetarët që të mos bëjnë veprime të tilla.

“Policia e Kosovës rastet e vrasjeve i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve tek organet kompetente. Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla, duke përfshirë këtu edhe operacionet policore për konfiskimin e armëve ilegale qe paraqesin rrezik potencial”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për lajmi.net.

Sipas Policisë, në aspektin e parandalimit përveç Policisë, duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vetëdijesimit apo sensibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi.Edhe pse jo të gjithë autorët e këtyre krimeve kanë përfunduar prapa grilave për të vuajtur dënimin që parashihet me ligj, Policia e Kosovës thotë se, që nga viti 2008 ky institucion ka arritur që zbuloj mbi 75 për qind të autorëve të vrasjeve.

“Disa raste të vrasjeve janë me kryes të njohur kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia ne bashkëpunim me Prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh. Nëse iu referohemi statistikave lidhur me zbulueshmërinë e rasteve të vrasjeve nëpër vite, veçanërisht nga viti 2008, Policia e Kosovës ka arritur nivelin e zbulueshmërisë së rasteve të vrasjeve, mbi 75%”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Të ngjashme