Ylli kosovar Valon Berisha doli sërish në fushën e blertë me skuadrën e tij, Fortuna Dusseldorfin, sot për herë të parë pas rreth dy muajsh. Megjithatë, dy tentimet e tij për të shënuar iu mohuan nga shtyllat e portës në ndeshjen që përfundoi me barazim pa gola.
Valon Berisha është huazuar nga Lazio në Fortuna Dusseldorf për këtë sezon dhe ai i kishte luajtur gjithsej gjashtë ndeshje para ndërprerjes së futbollit në mars shkaku i përhapjes së koronavirusit, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, sot ai u kthye në fushën e Merkur Spiel-Arena si titullar për ndeshjen kundër Paderborn 07, ku luan futbollisti shqiptar, Klaus Gjasula.
Trajneri Uëe Rosler vendosi ta zëvendësojë mesfushorin kosovarin qysh në minutën e 68-të të ndeshjes, kur në lojë e inkuadroi Adam Bodzekun në vend të tij me shpresën që mesfushori polak do të mundë të kontribuonte me gol apo asist, që s’ndodhi pasi që ndeshja përfundoi me barazim pa gola.
Berisha e përfundoi ndeshjen me notë 7.4 sipas Sofascore – asnjë lojtar i Dusseldorfit s’mori notë më të lartë, ndërsa me 7.4 u vlerësuan edhe dy futbollistë të tjerë.
Në 68 minutat e tij të lojës, kosovari e preku topin 38 herë, ndërsa ishte i saktë në 23 pasime (apo në 85% të pasimeve të tentuara). Berisha i bëri katër pasime kyçe në aksione të sulmit, mirëpo s’ishte i saktë në tentimin e vetëm për harkim që e bëri.
Ai tentoi të shënojë gol tri herë – një herë e gjuajti topin jashtë kuadratit, ndërsa goli dy herë iu mohua nga shtyllat e portës.
Fortuna Dusseldorf dhe Paderborn mbeten edhe më tutje në fund të tabelës së Bundesligës – Dusseldorfi në pozitën e 16-të me 23 pikë, ndërsa Paderborni në pozitën e 18-të me 17 pikë. /Gazeta Express/