Stavileci: Dogana, institucioni më efikas në luftimin e kontrabandës

Prishtinë | 19 Mar 2017 | 09:01 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dogana e Kosovës është institucioni më efikas në luftimin e kontrabandës. Ky institucion taksambledhës është duke e luftuar në mënyrë të rregullt kontrabandën gjë që po ndikon edhe në rritjen e të hyrave për buxhetin e vendit.

Kështu thotë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në një intervistë për Ekonomia Online.

“Mund të themi që jemi një institucion shumë efikas në luftimin kontrabandës, arsye kjo më lejoni t’i referohem Raportit të Progresit për vitin 2016 që e nxjerr Doganën si një ndër institucionet më të suksesshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan”, thotë Stavileci.

Ai thekson se zyrtarët doganorë kontrabandën nuk e luftojnë vetëm në pikat kufitare, por edhe te bizneset në brendi të vendit.

“Kontrabanda nuk luftohet vetëm në pikat kufitare, por luftohet edhe në brendi dhe për këtë arsye në këto ditë jemi duke ndërmarrë aksione të shumta për të ndërgjegjësuar të gjitha bizneset që mallrat e kontrabanduara, normalisht që në momentin kur dogana ka informata, ato konfiskohen”, thotë Stavileci.

Ai ka folur edhe për aksionet e Doganës në veri të Mitrovicës, duke konfiskuar mallra të kontrabanduara, duke thënë se kompania nuk ka pasur asnjë dokument mbulueshmërie për procedurat e zhdoganimit të tyre dhe për këtë arsye Dogana i ka konfiskuar të gjitha ato mallra.

Stavileci ka thënë se në pjesën veriore të Mitrovicës përballen më shumë me probleme të natyrës politike.

“Kryesisht janë probleme, që ju i dini, probleme të natyrës politike, por normalisht kemi edhe ndonjëherë të natyrave të tjera siç janë infrastrukturore, apo probleme logjistike, derisa në aspektin e procedurave të zhdoganimit të mallrave nuk kemi problem”, ka thënë zëdhënësi Stavileci.

Duke folur për të hyrat Doganore ai ka thënë se ky institucion taksambledhës gjatë dhjetëve të fundit ka mbajtur një trend të mirë të mbledhjes së të hyrave, e gjithashtu edhe në tre mujorin e parë të të këtij viti të hyrat janë duke ecur me një trend shumë të mirë.

“Pak a shumë është e njëjta, por është ende herët që të kemi një analizë të detajizuar se si është duke ecur trendi i të hyrave, por sidoqoftë mund të themi që jemi gati 100 për qind me vitin e kaluar”, ka thënë Stavileci.

Ai ka folur edhe për blerjet online, sipas të cilit kanë shënuar një trend rritës. Sipas tij, vitin e kaluar vetëm nga blerjet online Dogana e Kosovës ka inkasuar taksa prej 300 mijë euro. Ndërsa më shumë se një milion copë mallra qarkullojnë përmes blerjeve online.

INTERVISTA E PLOTË

EO: Sipas publikimeve të fundit të cilat i ka bërë Oda Ekonomike e Kosovës, tri regjionet si ai i Ferizajt, Prishtinës dhe i Pejës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për proceset e doganës, cila po mendoni që është arsyeja që ata nuk janë të kënaqur?

Stavileci: Kryesisht mund të ju them që mund të ketë pakënaqësi dhe nuk është asgjë e jashtëzakonshme me pas pakënaqësi por në anën tjetër edhe ne duhet të dimë se cilat janë ato pakënaqësi në cilat procedura, ose në cilat pjesë dhe për këtë arsye nuk mund të ju them që kemi pranuar ndonjë raport saktë nga Oda Ekonomike e cila na tregon se ku janë pakënaqësitë dhe në momentin që e pranojmë një raport nga Oda Ekonomike që thotë bizneset kanë këto ankesa normalisht që këto ankesa menjëherë i trajtojmë dhe tentojmë që t’i zgjidhim t’i shndërrojmë ato ankesa në një plan veprimi në një plan të reagimit ta quaj ashtu.

EO: Kohëve të fundit keni pasur një aksion në Veri të vendit, si ka ndodhur çka mund të thoni më shumë?

Stavileci: Ky aksion ka qenë i destinuar kundër mallrave të kontrabanduara në atë pjesë, ku është dyshuar në atë depo, faktikisht në grumbullimin e mallrave të kontrabanduara dhe pastaj bënë shpërndarjen e tyre dhe për këtë arsye ne kemi ndërmarrë një aksion dhe gjatë këtij aksioni kemi zbuluar një sasi të konsiderueshme të mallrave të cilat janë fut si kontrabandë në Kosovë pasi që pala apo kompania nuk ka pasur asnjë dokument mbulueshmërie për procedurat e zhdoganimit të tyre, për këtë arsye Dogana i ka konfiskuar të gjitha ato mallra duke filluar prej mallrave akcizore si alkooleve dhe cigare, gjithashtu edhe pije të gazuara apo lëngje të tjera. Vlera e konfiskimit e tejkalon vlerën e 30 mijë eurove.

EO: Blerjet online tash e ca kohë janë në “trend”, në Kosovë a kanë filluar ende dhe nëse po sa po përdoren?

Stavileci: Gjatë vitit 2016 ka qenë ndoshta viti kur blerjet  online janë rritur më së shumti. Vetëm në aspektin e taksave kemi mbledhur 300 mijë euro nga këto dërgesa. Numri i blerjeve online tani më e ka kaluar mbi një milionë copë mallra që qarkullojnë përmes blerjeve online. Derisa më duhet t’ju them që limiti është 22 euro, deri në 22 euro ato nuk paguajnë, mbi atë limit atëherë aplikohen taksat.

EO: A keni statistika të cilat kallëzojnë se deri në çfarë shumë shkojnë këto shpenzime online?

Stavileci: Sa shpenzojnë në blerjet online këtë dogana nuk mund ta di saktësisht por përafërsisht e dimë, derisa taksat të cilat janë paguar për këto rreth vitit 2016 janë rreth 300 mijë euro.

EO: A po luftohet mjaftueshëm kontrabanda?

Stavileci: Po normalisht ne e kemi, edhe aksioni i fundit për të cilin më herët folëm tregon që Dogana është duke e luftuar në mënyrë të rregullt kontrabandën për arsye se ne kemi gjithmonë rritje të të hyrave dhe nuk mund të kemi rritje të të hyrave dhe të kemi rritje të kontrabandës. Nëse kemi rritje të hyrave atëherë nënkupton që kemi ulje të dukurisë së kontrabandimit, por normalisht kontrabanda nuk luftohet vetëm në pikat kufitare por luftohet edhe në brendi dhe për këtë arsye në këto ditë jemi duke ndërmarrë aksione të shumta për të ndërgjegjësuar të gjitha bizneset që mallrat e kontrabanduara normalisht që në momentin  kur dogana ka informata ato konfiskohen.

EO: Cilat pika kufitare mund t’i konsideroni më të suksesshme ?

Stavileci: Dogana nuk i ndan pikat në pika të suksesshme dhe problematike. Ne shumicën e zhdoganimit e bëjmë në pjesën e terminaleve të brendshme edhe regjioni i Prishtinës është regjioni ku ka më së shumti zhdoganime dhe më së shumit mallra të importuara kurse në aspektin infrastrukturor apo të shtrirjes nëpër pika gjeografike mund të ju them që në pjesën veriore kemi disa probleme të cilat janë të ndërlidhura edhe me çështjet politike për momentin që janë në atë pjesë, ndërsa në aspektin e doganës dhe në aspektin e punës sonë nuk kanë ndikim fare.

EO: Përmendët që Dogana në Veri ka disa probleme, cilat janë ato?

Stavileci: Kryesisht janë probleme që ju i dini që janë probleme të natyrës politike por normalisht kemi edhe ndonjëherë të natyrave të tjera siç janë infrastrukturore apo probleme logjistike derisa në aspektin e procedurave të zhdoganimit të mallrave nuk kemi problem.

EO: Sa janë të hyrat për tre muajt e parë të këtij viti?

Stavileci: Po të hyrat gjatë dhjetëve të fundit ne e kemi mbajtur një trend të mirë të mbledhjes së të hyrave edhe në tre mujorin e parë të hyrat janë duke ecur me një trend shumë të mirë.

EO: A janë të njëjta të hyrat e këtij viti duke i krahasuar me ato të vitit të kaluar?

Stavileci: Pak a shumë është e njëjta por është ende herët që të kemi një analizë të metalizuar se si është duke ecur trendi i të hyrave por sidoqoftë mund të themi që jemi gati 100 për qind me vitin e kaluar.

EO: Sa po e lufton Dogana e Kosovës Kontrabandën?

Stavileci: Dogana e Kosovës kontrabandimin e lufton shumë duke filluar që ne tani kemi marrë edhe përgjegjësi të reja, normalisht kemi marrë përgjegjësi edhe në aspektin e kontrollit dhe cilësisë së naftës në pikat kufitare edhe përveç kësaj kemi edhe aspektin e lojërave të fatit . Ne mbrëmë patëm një aksion tjetër në Prishtinë ku kemi bastis dhjetë lokale me lojëra të fatit edhe aty kemi pasur një mori të sekuestrimeve dhe gjithashtu para ca ditëve patëm edhe një aksion tjetër i cili ishte mjaft i suksesshëm në parandalimin e shitjes së mëtutjeshme të mallrave të kontrabanduara dhe mund të themi që jemi një institucion shumë efikas në luftimin  kontrabandës arsye kjo më lejoni të referohem te Raporti i Progresit për vitin 2016 që e nxjerr Doganën si një ndër institucionet më të suksesshme jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan.

EO: Ky luftim i kontrabandës a po ndikon në të hyrat e Doganës?

Stavileci: Nëse e ne e luftojmë vazhdimisht kontrabandën atëherë rritet hapësira e tregtisë legjitime dhe në momentin e rritjes së hapësirës së tregtisë legjitime edhe bizneset legjitime atëherë fillojnë të rriten pasi nuk dëmtohen nga kontrabanda.

EO: Plani i realizimit të të hyrave a ka mundësi të tejkalohet?

Stavileci: Plani apo projeksioni për vitin 2017 është mbi një miliardë dhe ne mund të themi nëse i referohemi të dhënave historike kemi pasur afër gjatë dhjetë viteve të fundit kemi pasur me qenë aty te projeksioni ose ka disa vite ku ne e kemi kaluar projeksionin, por më duhet të ju them një fakt tjetër që projeksioni i doganës nuk varet nga performanca e Doganës por varet edhe nga performanca e përgjithshme e ekonomisë së Kosovës. Nëse kemi investime publike,po kemi investime kapitale që investohen në Kosovë atëherë neve na rriten të hyrat, pra varet nga faktorë të ndryshëm.

EO: Marrëveshja e Stabilizim Asociimit sa do të ndikojë këtë vit në të hyrat e doganës?

Stavileci: Gjatë vitit të kaluar ne patëm një efekt rreth 25 milionë euro të cilat kanë qenë nuk mund ti quaj humbje por kanë qenë përfitime për qytetarët e Kosovës dhe ato 25 milionë euro janë kursyer nga qytetarët e Kosovës kurse gjatë këtij vitit presim që ky efekt të shkojë pak më lartë deri në 30 milionë euro por sidoqoftë kjo mbetet të shihet. Më një prill CEFTA bënë një vjetorin e fillimit të aplikimit të saj dhe mund të themi që ka qenë një marrëveshje e cila është zbatuar apo aplikuar shumë suksesshëm nga Dogana e Kosovës.

Të ngjashme