Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci në debatin drejtpërdrejt me qytetarë ka thënë se ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re” do të zgjidhë problemin e energjisë.
Ndërsa ka bërë të ditur se do të ketë edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike për çdo vit rreth 4 për qind, raporton Ekonomia Online.
“Energjia elektrike është produkt vital dhe është i ndërlikuar se si gjenerohet dhe si krijohen çmimet. Mund të ketë ngritje të çmimit të energjisë, por nuk kemi dashur të jemi peng e importeve dhe kemi bërë zgjidhje që duhet të jetë e pranueshme. Projeksionet brenda gjashtë viteve janë që të ketë rritje 28 për qind, që nëse pjesëtohet për këto vite i bien dikund mbi 4 për qind”, ka thënë ai.
Duke folur për projektit Kosova e Re, Stavileci tha se ky është një projekt shumë i ndërlikuar, por që tanimë ka kaluar në shumë faza.
“Ne sivjet e përmbyllim pjesën e marrëveshjeve komerciale në mënyrë që vitin e ardhshëm të nis puna. Tri vite e gjysmë ose katër zgjasin punimet. Ne e kemi para në strategjinë tonë që presim që ajo të hyjë në funksion në vitin 2020 që të fillohet me prodhim të energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për ndikimin e këtij termocentrali në mjedis.
“Duke i ditur zhvillimet e fundit, çfarë teknologjie po përdoret ne në njërën prej pikave që e kemi diskutuar ka qenë që normën prej 37 për qind ta vendosim në një normë më të lartë se kjo”.
“Ne jemi kujdesur që zgjidhjet të jenë më shumë së sa të qëndrueshme. Kemi punuar në një trinom zgjidhjesh, ku hyjnë burimet e ripërtërishme, zbatimin e masave të efiçiencës. Ka shumë investitorë të interesuar për të investuar në burime të ripërtërishme të energjisë”, ka thënë ai.
“Ndikimet janë të shumë anshme aspektet mjedisore, aspektet sociale, efiçienca dhe pastaj jemi siguruar që ta kemi mbështetjen e partnerëve strategjikë. Janë tri gjëra kryesore në të cilat do të shihen dobitë: e para do të ndikojë në rritje ekonomike 2 për qind e dyta rritja e vendeve të punës deri në dhjetë mijë dhe i treti ne japim një mesazh shumë përmbajtjesor për investitorët e tjerë. Investitorët kanë hezituar të investojnë në Kosovë shkaku i energjisë”, thotë ai.
Stavileci: Obiliqi do të përfitojë një fond prej 10 mln euro
Në pyetjen se çfarë përfitojnë banorët e Obiliqit nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, Stavileci tha se është e paraparë të themelohet një fond prej 10 milionë euro.
“Ne po bëjmë një zgjidhje për banorët e gjithë Kosovës dhe gjithashtu do të bëhet zgjidhje edhe për Shqipërinë, potencialisht banorët e Obiliqit do të jenë më të ndikuar, në sens të një përkrahje kemi zhvilluar një koncept të cilin do ta themelojmë fond për zhvillimin e komunitetin që ne e quajmë një zgjidhje inovative. Ky është një fond i dedikuar për banorët e këtyre zonave. Kemi arritur që ta ndajmë një vlerë diku prej 10 milionë euro për shtat vite dhe do të jenë projekte prej natyrës mjedisore sociale sportive kulturore me të cilat ata do ta përmirësojnë standardin e jetesës”, tha ai.
Stavileci: Kemi përfill të gjitha direktivat për Haden
Ministri Stavileci ka folur edhe për çështjen e Hades, ku ditë më parë komuna e Obiliqit së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë rrënuar disa themele të shtëpive.
Ai ka thënë se së bashku me investitorët kanë vendosur t’i japin vetes detyra që pavarësisht kompetencave që i kanë, t’u paraprijnë problemeve të mundshme që mund t’i kenë në të ardhmen.
“Problemi i Hades, i Shipitullës… ne kemi pasur gjashtë takime me banorët e asaj zone dhe vitet e kaluara kanë ekzistuar edhe disa ngecje, disa për shkak të faktorëve subjektiv, disa për shkak të faktorëve objektiv, por e rëndësishme është që ne kemi ecur në atë drejtim. KEK-u ka angazhuar një kompani, e cila është dashur që ta bëjë regjistrimin e pronave, ne i kemi përfill të gjitha udhëzimet dhe direktivave me të cilat sot përdoren në botë për sa i takon standardeve që lidhen me zhvendosjen”.
“Në të gjitha ato pikat të cilat edhe ato ndërtime që janë bërë janë brenda kornizës ligjore, trajtohen me standardet më të mira ndërkombëtare dhe mendoj që të gjitha u janë thënë banorëve të këtyre lagjeve, dhe aty kemi imponuar një lloj dialogu social shumë bashkëkohor, ku gjërat do të bëhen në partneritet me ta”, ka thënë Stavileci.
Kreu i MZhE-së ka theksuar se para komisionimit të “Kosovës së Re” ta kenë të përfunduar rehabilitimin e “Kosovës B” dhe në të njëjtën kohë të kujdesen për kapacitetet ekzistuese të “Kosovës A”.