Stavileci: “Kosova e Re” nis më 2018, po bëjmë zgjidhje shekullore

Prishtinë | 26 Shk 2017 | 08:20 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, bën të ditur se në muajin mars do të nënshkruhen marrëveshjet komerciale me investitorin amerikan “Contour Global”. Kjo do t’i hapë rrugë tenderimit për ndërtuesin e termoelektranës “Kosova e Re”. Ky proces do të përmbyllet në fund të këtij viti dhe më 2018 duhet të nisë ndërtimi.

Termocentrali “ Kosova e Re” do të ketë kapacitete gjeneruese prej 450 megavatësh. Vlera financiare e këtij projekti llogaritet në rreth një miliard euro.

Ministri Stavileci, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se me “Kosovën e Re” po bëhet zgjidhje shekullore. “Ndërtimi zgjat katër vjet dhe që nga viti, orientimisht 2022, kur ky kapacitet i ri do të instalohet dhe do të funksionojë, ne besoj që përfundimisht do ta bëjmë atë që e quaj unë zgjidhje shekullore, sepse më nuk do të kemi probleme me furnizimin e rregullt me energji elektrike”, thekson ai.

Disa organizata të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar ndërtimin e TC “Kosova e Re”, duke paralajmëruar shtrenjtimin e rrymës, sikurse dhe probleme me ndotjen.

Por, kreu i MZhE-së thekson se një nga burimet kryesore të Kosovës është thëngjilli dhe se kapacitetet e reja gjeneruese është dashur të ndërtohen, duke e shfrytëzuar këtë pasuri nëntokësore. Nga ana tjetër, ai siguron se teknologjia që do të përdoret në këtë TC do të jetë moderne dhe miqësore me mjedisin. “Besoj që ambienti ndotet më shumë nga makinat sesa që do të ndotet nga ky termocentral”.

Ndërsa, thekson rëndësinë që Kosova të pavarësohet edhe në fushën energjetike, Stavileci, ata të cilët e kundërshtojnë ndërtimin e “Kosovës së Re”, i krahason, në njëfarë mënyre, me kundërshtarët e pavarësisë së vendit.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Ministër kur saktësisht do të fillojë ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, dhe kur pritet që qytetarët e vendit të furnizohen me energji elektrike nga ky termocentral?

Stavileci: Ne, siç kemi thënë edhe në të kaluarën, jemi shumë afër konkretizimit të gjitha fazave finale për të nisur ndërtimin e hidrocentralit, por normalisht që ai nuk mund të fillojë menjëherë nesër, para se të kryhen edhe disa procese. Kur po them jemi shumë afër, si periudhë kohore më saktë, në muajin e ardhshëm do t’i nënshkruajmë marrëveshjet komerciale, kjo i hap rrugë nga ana e investitorit tenderimit për ndërtuesin e termoelektranës, që pritet të bëhet brenda një periudhe 3-4 mujore dhe pas kësaj bëhet përmbyllja financiare. Prandaj, tërë ky proces mendoj se do të përmbyllet në fund të këtij viti dhe vitin e ardhshëm duhet të nisë ndërtimi i saj.
Duhet njoftuar opinionin, edhe pse e kemi thënë edhe herave të tjera, ndërtimi i saj zgjatë katër vjet dhe që nga viti orientimisht 2022 kur ky kapacitet i ri do të instalohet dhe do të funksionojë, ne besoj që përfundimisht do ta bëjmë atë që e quaj unë zgjidhje shekullore, sepse më nuk do të kemi probleme me furnizimin e rregullt me energji elektrike.
Duhet thënë se ky nuk është projekti i vetëm, kemi edhe projekte tjera të cilat po i zhvillojmë në mënyrë që të ketë për të gjithë qytetarët e Kosovës furnizim të rregullt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike.

EO: Është thënë që me fillimin e punës së Termocentralit “Kosova e Re” do të mbyllet “Kosova A”. A do të rrezikohet vendi që të mos ketë energji elektrike të mjaftueshme dhe çfarë do të ndodhë me punëtorët që kanë punuar në Termocentralin “Kosova A”?

Stavileci: Edhe “Kosova e Re”, edhe “Kosova A” dhe “B: janë pjesë e një pakoje që ne i kemi përkthyer në objektiva të programit tonë dhe të strategjisë për energji 2017-2026. Për të pasur furnizim të rregullt të energjisë elektrike duhet të ndërtojmë kapacitete të reja, por edhe t’i rigjenerojmë ato ekzistuese. Në kuadër të kapaciteteve të reja do të jetë “Kosova e Re”, ndërsa në kuadër të rigjenerimit të kapaciteteve ekzistuese do të jetë “Kosova B”. Kemi thënë se fati i “Kosovës A” do të jetë ngushtë i lidhur me atë të “Kosovës së Re”. Normalisht që ka nevojë për një fuqi punëtore, edhe ajo ekzistuese por të freskohet edhe me kuadro të reja, sepse sidomos te “Kosova e Re” do të punohet me një energji shumë të përsosur dhe nevojiten kuadro të profileve të ndryshme të cilat do të menaxhojnë dhe do të operojnë me këtë termocentral. Normalisht që përveç këtij objektivi që nga viti 2022 nuk do të kemi më probleme që na kanë përcjellë pothuaj që dy dekada. Do të jemi shumë të kujdesshëm që në asnjë moment të mos shkaktojmë ndonjë lloj krize, sepse edhe derisa të ndërtohet “Kosova e Re”, edhe kur të fillojë të rehabilitohet “Kosova B”, ne po punojmë me të gjithë në mënyrë që ta sinkronizojmë në aspektin kohor; kur njëra ndërtohet të ketë kapacitete të mjaftueshme, kur tjetra të rehabilitohet të ketë kapacitete tjera, të themi rezervë të cilat e kompensojnë atë sasi. Por derisa të bëhet “Kosova e Re”, ne fatkeqësisht kemi nevojë për të importuar dhe do të importojmë. Besojmë që nga viti 2022 do të jemi të vetëmjaftueshëm. Por edhe kur të bëhet tregu i përbashkët me Shqipërinë dhe ai i përbashkët regjional i energjisë elektrike, mendoj se ne në veçanti së bashku me Shqipërinë do të jemi njëra nga fuqitë rajonale për sa i takon energjisë elektrike.

EO: Shoqëria civile dhe aktorë të tjerë e kanë kundërshtuar projektin e “Kosovës së Re”, madje kanë thënë se ndërtimi i këtij termocentrali do t’i kushtojë Kosovës me shtrenjtim të çmimit të energjisë që qytetarët nuk mund ta përballojnë. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave?

Stavileci: Ne jemi mësuar që gjatë gjithë këtyre viteve të flasim për pavarësinë e shtetit tonë, gjë e cila na bën të mburremi, po e shohim që ende po ka telashe politike me disa fqinjë; po ata të cilët janë përkrah fqinjëve tonë në një politikë anti-shqiptare dhe kundër Kosovës së pavarur. Ndoshta është folur më pak për pavarësinë dhe sovranitetin në fushat e tjera. Fusha e energjisë është ajo që i jep më së shumti ngjyrë dhe peshë pavarësisë dhe sovranitetit të një vendi. Prandaj, nuk ka pavarësi të një shteti të mirëfilltë pa pasur pavarësi energjetike. Ata të cilët e kundërshtojnë, nuk do të doja që t’i rreshtoja në mesin e kundërshtarëve të pavarësisë, por në një mënyrë, apo tjetër, po ju bëjmë njëfarë shërbimi atyre që janë kundërshtarë të pavarësisë. Unë i kuptoj disa nga shqetësimet që ata i ngrisin, i kemi diskutuar disa herë, edhe pse jemi në krye të këtij dikasteri të rëndësishëm, duke e ditur se nga burimet tona kryesore dhe pasuritë është thëngjilli, nuk do të bëhet diçka që është në kundërshtim me rregullat dhe standardet mjedisore. Përkundrazi, teknologjia që do të përdoret do të jetë miqësore dhe besoj që ambienti ndotet më shumë nga makinat sesa që do të ndotet nga ky termocentral.
Dhe e dyta, ne nuk ndalemi nga rruga jonë. Po e shihni edhe sot që ky investim është në kuadër të asaj që ne bashkërisht e ngrisim si çështje dhe mendoj se këtu jemi në të njëjtat frekuenca të shoqërisë civile, që ne paralelisht këtyre investimeve do të hapim investime edhe në fushën energjisë së ripërtërishme por edhe të zbatimit të këtyre masave të efiçiencës.

Të ngjashme