Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, e falënderoi ish-udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev, për rolin e tij në ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990.
Ribashkimi paqësor i Gjermanisë dhe fundi i ndarjes së Evropës “nuk do të ishin të mundshme pa vendimet e guximshme dhe njerëzore që ju personalisht i morët në atë kohë”, shkroi Steinmeier në letrën dërguar Gorbachevit.
Letra vjen tri dekada pas rënies së Murit të Berlinit, gjë që ka çuar në ribashkimin e Gjermanisë brenda një viti, përkatësisht më 3 tetor, 1990.
Ajo po ashtu vjen në kohën e marrëdhënieve të tensionuara midis Rusisë dhe Perëndimit.
“Ajo që më dhemb më shumë është gjendja e marrëdhënieve gjermane-ruse dhe evropiane-ruse”, tha Steinmeier.
Në një intervistë për BBC-në, të publikuar më 4 nëntor, Gorbachev tha se parim i tij në atë kohë ka qenë “të mos ketë gjakderdhje”.
“Nuk mund ta lejonim një gjë të tillë për një çështje kaq të madhe për Gjermaninë, për ne, për Evropën, për tërë botën”, tha Gorbachev, 88 vjeç.