Kardiologu Gani Bajraktari është suspenduar nga puna pas akuzës së një familjari për referim në një spital privat.
Gazeta Shneta merr vesh se Bajraktari është suspenduar nga puna për 3 muaj nga Komisioni Disiplinor. Familjari S.S. ka akuzuar mjekun se në fillim të këtij viti ka dërguar babanë e tij në Kardiologji i cili ishte vendosur nën kujdesin e Bajraktarit.
Pas disa ditë qëndrimi në spital, Bajraktari i kishte shkruar pacientit në histori se “indikohet koronarografia”, por sipas akuzës së familjari, mjeku nuk ua kishte mundësuar asnjëherë këtë në QKUK. Madje ai i kishte sugjeruar që të shkonin në një spital privat, ku do t’ua mundësonte një ofertë të lirë.
S.S. shkruan tutje se disa herë e kanë lutur mjekun që të bëntë këtë propozim për të kryer koronarografinë në QKUK, por ai iu kishte propozuar ta kryenin në një spital privat ku do t’ua mundësonte një paketë ofertë.
“Pas disa lutjesh nga ana jonë doktor Bajraktari tha: ‘skam çka bëjë më shumë, po e shihni si po shkon këtu puna, hajdeni në spital privat dhe unë ju bëjë një paketë ofertë për koronarografi’ duke përmendur edhe shifra të hollash”, shkruan në ankesë.
Rasti është raportuar në Polici edhe nga Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së. Gazeta ka kontaktuar Bajraktarin duke i dërguar pyetje në email, por mjeku nuk është përgjigjur asnjëherë. Kujtojmë se Bajraktari është i akuzuar nga Prokuroria e Shtetit për korrupsion deri 20 mijë euro duke referuar pacientë në spitale private në skandalin e njohur si “Stenta”.