Mendimtari Fatos Lubonja është brenda lirisë së tij, ai nuk e vë në dyshim lirinë tonë…!?
“Të jesh armik i Amerikës është e rrezikshme, por të jesh mik është fatale” thoshte Henry Kissinger.
E tfilloj këtë shkrim me këtë thënie të diplomatit legjendar, jo për ta justifiku rrezikun e lartë të të qenmit armik i ShBA-së, as për të hapë diskutomin se sa është fatale të jesh mik i Amerikës. Pir thjeshtë me tentu çmistifikimin e postulateve të ngurtësuara që e pengojnë mendimin e hapur.
Kritika e Fatos Lubonjës është në suaza të mendimit të lirë, e drejtë që atij nuk mundi t’ia suprimojë as diktatura Enveriste, që e mbajti me dekada në burg, e lë më injorantë të InterNet-it (Umberto Eco) dhe mediokër portalesh, që nuk guxojnë të kenë mendim kritik, për asgjë, pra as për Amerikën, sepse mendimi kooperativist-kolektivist i ka tkurrë në gjiun e turmave, ku ndihen të mëdhenj dhe gati për sulm duke mos u marrë me idetë por me njerëzit tjerë, ad hominem!?
Ne, shqiptarët e Kosovës jemi të lidhur sentinentalisht me Amerikën dhe NATO-n.
Me të drejtë!
Sepse na ka shpëtu nga gjenocidi klasik që kishte mësy Serbia!
Dhe është sponsor i shtetit tonë.
Prandaj bombardimi i Serbisë nga NATO për ne ka qenë bekim hyjnor, e si rezultat i atyre bombave, ne jemi ndër popujt e lirë (të gjallë!).
Mirëpo kjo lidhje afektive nuk na premton gjithnjë rezultate të dëshirueshme sepse prirë nga besimet tona, nuk mund të identifikohen qartë interesat në marrdhëniet ndërkombëtare.
Jo të gjithë intelektualët e kalibrit të madh mendojnë si ne, zatën ne nuk kemi fare mendim për Amerikën, as për NATO-n, ne vetëm falemi!
Edhe kjo është e falshme për popujt e vegjël.
Por nga pikëpamja humane dhe lëvizjet antiluftë dhe anti diktat hegjemonist, bombardimi i Serbisë nga NATO shihet ndryshe!?
Ne, së këndejmi duhet t’i mbrojmë argumentet tona, pa i denigru të tjerët, që nuk janë gjithmonë miqësor me të drejtën tonë!?
Filozofi i fundit i madh, i shkollës së Frankfurtit, Jürgen Habermas thotë se ShBA është hegjemoni e domosdoshme!
Dhe ky është definimi që e preferoj.
Ashiqare që Lubonja nuk e mohon të drejtën e kosovarëve për të jetuar të lirë, por ai, po don të thotë se jo gjithmonë dhe jo çdo veprim ndërmerret për interesat strikte tonat.
Intelektuali nuk sheh as nuk ndjen si viktima – në këtë rast ishim ne viktimat- por as si agresorët, që për ne ishin serbët e për ta NATO!?
Fundja ne, të mbijetuemit, e kemi tregimin tonë për luftën e NATO-s për ta parandalu gjenocidin në Kosovë.
Ajo është sakrale, e paçortueshme, e vërtetë supreme dhe e mbështjellun me bestytni.
E kjo nuk duhet të na kthejë kundër fjalës e mendimit të lirë.
Fatos Lubonja dhe secili intelektual e qytetar i lirë ka të drejtën e vet, për gjykim të lirë edhe për kritikë, pse jo edhe ndaj ShBA-së, NATO-s?
Kundër luftës!?
E drejta jonë kufizohet me të drejtën e tij.
Këto janë vlera sipërane Perëndimore! Janë vlera pa të cilat Amerika nuk do të ishte e tillë.
As NATO.
Lubonja ka mund të gabojë në interpretim ose ka keqcitu ndonjë sekuencë të librit të Norris, ndodh të dekonstruktuar nga Naom Chomsky, qëllimkeq.
Mirëpo për këtë mund të debatohet pa e stigmatizu.
I thanë injorant, të paditurit dhe jo njeri, injorantët egërshan. I thanë nuk ke të drejtë me folë!? Hesht!
Pa u kujtu se çmimin më të lartë në botë, për lirinë e shprehjës e ka pagu pikërisht Lubonja!
Fundja linguisti fenomenal, politikisht hajvan, Naom Chomsky (autorin që e citon Lubonja) është produkt i vlerave Perëndimire, sepse shoqëria amerikane e kultivon mendimin e lirë, sipas parimit se të gjitha vlerat janë të diskutueshme.
Së këndejmi të negociueshme.
Shkrimi i Lubonjës, e dekonstrukton infantilizmin e shqiptarëve (disa shqiptarëve?) që disa të vërtetave të kësobotshme u japin dimensione sakrale, dhe dyshimi në to, jo që është sakrilegj, por të shpie në turrën e druve, këtu në botën tonë!?
Pra qasja e Lubonjës përkon me dyshimin Kartezian.
Thelbi i shkrimit të tij është pikërisht zbërthimi i mungesës së mendimit kritik tek shqiptarët, (kur kryetari i shtetit, profesori universitar dhe qobani mendojnë njësoj ose i binden mendimit kolektivist) dhe nuk ka të bëjë asgjë me antiamerikanizëm, NATO-n dhe lirinë e Kosovës.
Ai thotë se kundërshtarët e Kurtit janë kategoria e shqiptarëve infantil dhe kultura dominante që ata kanë përçuar ndër shqiptarë, duke mos e zhvilluar mendimin kritik. Dinjitetin. Lubonja mësynë t’u thotë shqiptarëve që mos të bien pré e “balancimit të frikës” (Kissinger) si relikt i Luftës së Ftohtë, por të luftojnë për “balancimin e dinjitetit” (Fukuyama), duke u shndërru nga mëkëmbës në partnerë!?
Këtë, synon Lubonja. Prandaj, mos e gozhdoni Lubonjën, sepse ju sapo ktheheni kundër vet idesë se lirisë.
Jo vetëm të lirisë së mendimit e kritikës shoqërore, porse, mungesa e mendimit kritik të shndërron në duartrokitës krimesh dhe në ndjekës shtrigash!?
Histeria kundër Lubonjës, nuk flet për të, por për gjendjën shpirtërore të dy shoqërive tona politikr dhe për stadiumin e vet mendimit politik shqiptar, që i është nënshtru gjykimit, zemërimit dhe ikonografisë së turmave, me trurin muskul.
Kështu njeriu i turmës, duke qenë në terr të plotë, nuk guxon t’i hapë sytë e të sheh vetën në pozitën gjunjëzuar, para britmave të turmës, Mendimtari është vetmitar, ai nuk përben “ne” me askënd!
Stigma ndaj Lubonjës manifeston frikërat tona ndaj territ brenda nesh, që e shquan mendimin politik e kulturor ndër ne.
Nga njerëz që sapo jemi çliru, po shndërrohemi në armiqtë e lirisë!
I njëjti autor i thënies së kreut të këtij shkrimi ka thanë edhe atë se Amerika nuk ka miq ose armiq të përhershëm, ka vetëm interesa të përhershme!