Zëvendëskryeministri i Kosovës nga Lista Serbe, Branimir Stojanoviq, ka thënë se Policia e Kosovës është e paaftë dhe e pa interesuar që të mbrojë serbët dhe i ka bërë thirrje KFOR-it që të vë një postbllok në fshatin Paralovë që t’i mbrojë njerëzit atje.
Këtë deklaratë ai e bazon në, siç thotë në sulmet e fundit që po ndodhin në vazhdimësi në atë pjesë të vendit.
“Jemi të alarmuar nga sulmet e fundit, të cilat po ndodhin në vazhdimësi. Më së shumti jemi të habitur me paaftësinë, ndërsa tani dyshojmë në bashkëfajësinë e Policisë në maltretimin sistematik që po u bëhet qytetarëve të fshatit Paralovë”, ka thënë Stojanoviq përmes një njoftimi për media.
Stojanoviq ka theksuar se dënon incidentin e ndodhur të dielën në fshatin Paralovë të Novobërdës dhe ka theksuar se nuk ka më durim e as besim në polici.
“Durimit tonë se këto situata do të përmirësohen dhe se dhuna do të ndalojë, e sidomos durimi tek ata që i vuajnë këto dhunime, i ka ardhur fundi. Për këtë arsye i bëjmë thirrje KFOR-it të ngre një postbllok në atë fshat për t’i mbrojtur njerëzit, jetët dhe pasuritë e tyre”, ka deklaruar Stojanoviq.
Ai ka thënë se në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, do t’i drejtohet direkt komandantit të KFOR-it me këtë kërkesë.
“Deri tani, të gjitha kërkesat time të mëhershme që ia kam drejtuar drejtorit të policisë, po shihet se nuk kanë gjetur mirëkuptim. Për këtë arsye më nuk pres asgjë nga Policia në rajonin e Gjilanit, veçanërisht nga ajo në Novobërdë”, ka theksuar zëvendëskryeministri i Kosovës.