Stojanoviq: “Zajednica nuk është projekt kundër shqiptarëve”

Prishtinë | 21 Nën 2016 | 16:13 | Nga

Serbët në Kosovë janë të rrezikuar, në veçanti ata në anën jugore të Ibrit. Në institucione nuk do të kthehemi pa fillimin e realizimit të marrëveshjeve, thotë në intervistë me DW, Branimir Stojanoviq.

Deutsche Welle: Zoti Stojanoviq, për shkak të votimit të ligjit për Trepçën, ju keni vendosur të largoheni nga institucionet e Kosovës. Pra cilat janë normat në këtë ligj që nuk ju pëlqejnë dhe kur do të ktheheni në institucione?
Branimir Stojanoviq: Shkaku i largimit tonë nga institucionet është Trepça, por kjo është vetëm pika e fundit në gotën e mbushur të problemeve.

Sepse në atmosferën e krijuar është shumë vështirë t’i realizojmë interesat dhe të drejtat elementare të popullit tonë në këto hapësira. Ligji për Trepçën është një akt politik i dëmshëm, i cili nuk do të ndihmojë për funksionimin më të mirë të Trepçës. Ligji është miratuar në mënyrë të njëanshme – për shkaqe populizmi dhe të garës politike brenda popullit shqiptar dhe jo me qëllim të funksionimit më të mirë të Trepçës apo punësimit të serbëve, shqiptarëve dhe të gjithë atyre që jetojnë këtu.

Ne kemi dashur të dërgojmë një mesazh të qartë se ky ligj nuk mund të kalojë. Unë jam thellësisht i bindur se ligji është i pazbatueshëm dhe se duhet të ndryshohet.

Cili është propozimi juaj, çfarë duhet të ndryshojë?

Ka pasur shumë propozime para miratimit të këtij ligji. Kemi menduar se duhet të hartohet edhe një studim për implementimin e ligjit. Nuk mund të vendoset për resurset ekonomike në qoftë se nuk keni të dhëna të sakta për potencialet e Trepçës. Nuk është e mundur në shekullin 21 që me një ligj të mohoni të gjitha të drejtat e atyre që kanë investuar atje. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur me këtë ligji.

Besoj se ligji duhet të ketë ndryshime thelbësore. Do të kërkojmë një ligj tjetër për Trepçën, një ligji i cili do të përfshijë të gjitha këto aspekte.
Po cilat janë propozimet tuaja konkrete për ndryshime, të cilat do të ishin të pranueshme për palën shqiptare dhe atë serbe?

Ne kemi ofruar një dialog të argumentuar në nivelin e ekspertëve, por ky dialog nuk është realizuar kurrë. Është dashur të respektohen disa fakte në terren, sepse Trepça sot është e ndarë. Pjesë në veri dhe ajo në jug funksionojnë sot si dy subjekte të ndara juridike.

Trepça në veri sjell përfitim dhe punëson rreth 3000 punëtorë – 1500 me punë të përhershme dhe të tjerët, që punojnë sipas sistemit të rotacionit. Kjo pjesë sjell përfitim, ndërsa në jug sjell humbje. Në 15 vitet e kaluara dikush ka investuar një mund jashtëzakonisht të madh që Trepça të funksionojë.

Nuk është e mundur që me një lëvizje të eliminohet i gjithë mundi i 15 viteve të kaluara. Duhet të respektohet argumentimi i menaxhmentit të Trepçës në veri, i cili ka qenë i gatshëm për bisedime, por kurrë nuk i është dhënë mundësia të thotë mendimin e tij. Ndërkohë që duhet të respektohet edhe mendimi i punëtorëve atje.
Zoti Stojanoviq, ligji është miratuar në parlament me shumicën dërmuese të votave. Çfarë do të bëni në qoftë se nuk ekziston vullneti për rishikimin e ligjit?

Siç e thashë edhe më lart: nuk bëhet fjalë vetëm për ligjin për Treçën, por për atmosferën e përgjithshme që është krijuar kohët e fundit. Bëhet fjalë për ligjin për investime strategjike dhe verifikimin e pasurive, për mosreagimin e duhur të institucioneve kur sulmohet kisha “Svetog Spasa” në qendër të Prishtinës (kisha e ndërtuar në kohën e luftës së Kosovës – shënim i autorit). Veprimi i vetëm pas sulmeve ndaj kësaj kishe ka qenë kur inspeksioni i ndërtimeve ka ndaluar vazhdimin e punimeve të peshkopit dhe besimtarëve, të cilët kishin nisur t’i ngjyrosin parullat ofenduese në muret e kishës.

Problemi tjetër është Mushetishti (një fshat në komunën e Suharekës: shënim i autorit), sepse atje nuk është mbështetur procesi i kthimit të organizuar të serbëve. Problem është kur mbahen protesta, të cilat sipas mendimit tim, janë të organizuara dhe të sinkronizuara mirë, për pengimin e meremetimit të kishës “Sveti Arangel” në Prizren… Për probleme të ngjashme mund të flas deri pasnesër.

Duhet krijuar pra një atmosferë më e mirë politike dhe të merremi vesh konkretisht për realizimin e gjërave që janë futur në marrëveshjen për koalicionin qeverisës. Ndërkohë që nuk është bërë asnjë lëvizje për realizimin e Marrëveshjes (së arritur në Bruksel: shënim i autorit) për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ka ardhur koha të merren vendime dhe jo vetëm të flitet. Më shqetëson fakti që tani po krijohet një atmosferë parazgjedhore dhe gjërat nuk po realizohen.

Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zgjedhjet e reja do të flasim pak më vonë, por fillimisht më tregoni: cili është qëndrimi juaj ndaj marrëveshjes për kodin telefonik, të arritur këto ditë në Bruksel, sepse ka pasur interpretime të ndryshme. Njëra palë thotë se me këtë kod është forcuar prania e Serbisë në Kosovë, ndërsa pala tjetër se në këtë mënyrë po forcohet shteti i Kosovës. Cili është mendimi juaj?

Mendoj se është me rëndësi që të realizohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel. Në këto marrëveshje ka shumë gjëra që nuk i pëlqejnë njërës apo palës tjetër, por janë në interesin e njerëzve të thjeshtë. Me këtë marrëveshje njerëzit në Kosovë do të kenë një komunikim shumë më të mirë dhe më të lehtë, sikurse që kanë pasur lehtësime edhe nga marrëveshjet e tjera. Shumë shpejt po harrohen të mirat nga procesi i dialogut.

Për shembull, zgjidhja e problemit të urës mbi Ibër, e cila është arritur me shumë mund. Në këtë vend ka pasur shumë viktima, ka qenë e rrezikuar siguria dhe pasuria e njerëzve, ky vend ka qenë gjithmonë një vatër e krizave potenciale. Po harrohet se deri para pak kohe janë paguar taksa shumë të larta për lëvizjen e lirë të makinave apo njerëzve. Dialogu nuk është i lehtë dhe i këndshëm për ata që marrin pjesë në dialog.

Por për sa kohë konfliktet dhe mosmarrëveshjet zgjidhen me dialog edhe në zyrat e politikanëve – është mirë. Do të jetë shumë mirë për sa kohë politikanët kanë takime të pakëndshme pas dyerve të mbyllura, ndërsa njerëzit përfitojnë nga këto takime.

Unë këto ditë kam qenë në veri të Mitrovicës. E di që edhe ju keni qenë vetëm një ditë më pas. Si do ta përshkruanit gjendjen atje?

Me siguri që ka shumë mosbesim, frikë, pasiguri të njerëzve për të ardhmen e tyre. Ndaj është me rëndësi që të tregojmë se askush atje nuk ka qëllime të këqija, por duam përmirësimin e kushteve për të gjithë. Por kjo duhet edhe të dëshmohet dhe jo vetëm të flitet. Duhet të zgjidhim problemet, e lista e problemeve, siç e thashë më lart, është shumë e gjatë. Problemet ekzistojnë që prej krijimit të koalicionit qeveritar. Për ne është e papranueshme që të marrim pjesë në punën e institucioneve, nëse nuk zgjidhen problemet.

Ose të paktën që gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur, sepse nuk është e mundur që të gjitha problemet të zgjidhen brenda natës, në veçanti kur dihet historia e gjatë e problemeve. Por me rëndësi është të mbahet drejtimi i duhur dhe që institucionet t’i realizojnë detyrimet e tyre për një jetë më të mirë për të gjithë.

Pak më lart e përmendët edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe (në opinionin e Kosovës të njohur si “Zajednica”): a ka ndonjë përparim në realizimin e kësaj marrëveshjeje?

Nuk është bërë asgjë dhe ky është esencialisht problemi më i madh. Përveç deklaratave dhe pohimeve në publik se “Zajednica” duhet të formohet, në aspektin teknik nuk kemi lëvizur shumë përpara. Ne si bashkësi etnike, si popull, jemi të gatshëm për një autonomi lokale. Ky proces duhet të çlirohet nga ngërçi dhe të lëvizë përpara, pavarësisht keqpërdorimeve të shumta të partive politike shqiptare me këtë proces, sepse “Zajednica” paraqitet si projekti më i madh armiqësor ndaj shqiptarëve – që nuk është e vërtetë.

“Zajednica” është në fakt një mekanizëm që serbët në Kosovë të mbijetojnë. Serbët në Kosovë janë të rrezikuar, veçanërisht në anën jugore të lumit Ibër. Nuk dua të përdor mite, sepse mitet janë më të përhapurat tek popujt e Ballkanit. Por duhet të shikoni vetëm të dhënat statistikore: sa njerëz në pesë vitet e fundit i kanë shitur pasuritë e tyre dhe kanë ikur nga Kosova? Siç kanë ikur…
…e keni fjalën për largimet nga veriu i Kosovës?

Jo vetëm nga veriu, por edhe nga jugu është zhvendosur një numër i madh i shqiptarëve dhe ka ikur në Evropën Perëndimore. Nëse problemeve, siç janë papunësia, korrupsioni, mungesa e perspektivës, ua shtoni edhe ato të sigurisë së keqe në disa rajone, problemet me pasuritë, ruajtjen e objekteve fetare… atëherë e shihni se në çfarë kushtesh të rënda jeton populli serb në Kosovë. Atëherë keni edhe një argument tjetër që të mos besoni se situata do të ndryshojë shpejt. Ndaj është i domosdoshëm krijimi i “Zajednicës” së komunave me shumicë serbe, me qëllim që populli serb të ketë një të ardhme të denjë në trojet e veta.

Për “Zajednicën” ka mendime të ndryshme tek politikanët dhe partitë e shqiptarëve të Kosovës, sepse ka forca politike që atë e shohin vetëm si një hap drejt ndarjes së Kosovës. Si i vlerësoni ju këto pohime?

Kurrë nuk kam qenë mbështetës i pohimeve sensacionale për ndryshime të mëdha. Ne i mbetemi besnik marrëveshjeve të arritura dhe ato duhet të realizohen. Është biseduar për katër fusha ku zëri i serbëve duhet të jetë vendimtar: arsimi, shëndetësia, planifikimi hapësinor dhe zhvillimi ekonomik. Si është e mundur që përmes këtyre katër fushave të rrezikojmë dikë apo të fillojmë ndonjë proces më të madh politik?

“Zajednica” është një mekanizëm në duart e serbëve dhe popujve të tjerë që jetojnë në këto hapësira me shumicë serbe, që të krijojnë kushte më të mira jetese, sepse është dëshmuar se kapacitetet e tanishme në duart e serbëve nuk mjaftojnë.

Shumë shpesh, pavarësisht argumenteve, sugjerimet tona nuk pranohen. Ndaj “Zajednica” është me rëndësi. Mendoj se edhe establishmenti politik shqiptar duhet të piqet. Ka ndodhur që disa prej tyre t’i pranojnë argumentet tona, por më pas është krijuar atmosfera në opinion për mospranimin e marrëveshjeve. Ja edhe një shembull: shumë kolegë më kanë shprehur keqardhje për incidentet që kanë ndodhur rreth kishës “Svetog Spasa” në Prishtinë.

Por kjo keqardhje shprehet vetëm privatisht. Ndërsa publikisht shumë rrallë, sepse ata më pas gjykohen nga shumica e popullit të tyre.
Cili është qëndrimi juaj ndaj demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, sepse ky është karshi “Zajednicës”, problemi i dytë më i madh i institucioneve të Kosovës?

Ne nuk kemi marrë pjesë në këtë proces. Ndoshta ka qenë moment i mirë që ta shantazhojmë shumicën, por ne kurrë nuk jemi marrë me shantazh-ime të tilla. Pavarësisht faktit që shumë marrëveshje me ne nuk janë realizuar. Ndoshta dikush ka dashur që të prezantojë gjendjen, sikur prezenca apo jo e deputetëve serbë, e ka pamundësuar vendimin. Por më vonë është dëshmuar se vendimi nuk varet nga prezenca jonë. Për këtë vendim nuk ekziston shumica në parlament.

Do të thotë: ju nuk e keni shantazhuar koalicionin në pushtet lidhur me votimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi?
Ne kurrë nuk kemi shantazhuar, as më parë dhe as tani. Ne vetëm kërkojmë që të realizohen marrëveshjet e arritura. Ky nuk është shantazh. Ne kërkojmë të realizohen marrëveshjet mbi të cilat është krijuar koalicioni qeveritar. Por toleranca jonë ka kufi. Ne kemi mirëkuptim, por nëse dikush nuk i respekton argumentat tona, atëherë pse ne duhet të jemi konstruktiv.

Por unë nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër të problemeve, veçse pjesëmarrjes në institucione, apo ju keni ndonjë zgjidhje tjetër?
Derisa nuk krijohen kushtet dhe raportet e respektimit të marrëveshjeve, deri sa nuk ka respekt ndaj argumenteve, atëherë ne nuk mund të marrim pjesë në institucione. Ne nuk jemi atje për të realizuar interesat tona, por interesat e popullit tonë. Pa aksione konkrete për realizimin e marrëveshjeve nuk mund të ketë as kthim në punën e institucioneve.
Do të thotë në këto kushte, është pak e mundshme që ju të jepni pëlqimin për krijimin e ushtrisë së Kosovës?
Kjo temë është bukur poshtë në agjendën tonë.

Zoti Stojanoviq, mendoni se ka ardhur koha që të mendohet ndoshta për zgjedhje të reja në Kosovë dhe për krijimin e koalicioneve të tjera?

Ne kurrë nuk kemi marrë pjesë në kombinime të tilla. Edhe para formimit të kësaj qeverie, ne kemi pritur derisa partitë politike të shumicës kanë rënë dakord për koalicion, ndonëse kemi mundur që të ndikojmë në krijimin e shumicës dhe të vendosim se kush duhet të krijojë qeverinë. Ne duam të jemi të përgjegjshëm ndaj atyre që na kanë zgjedhur dhe jo që si individë të merremi me përfitime apo kombinime të imëta.

Duam të shohim se çfarë duan partitë politike të shqiptarëve dhe pastaj të vendosim. Por e shoh që kohët e fundit gjithnjë e më shumë po flitet për zgjedhje të reja. E në një atmosferë parazgjedhore nuk mund të priten vendime të rëndësishme.

*Branimir Stojanoviq është zëvendëskryeministër i Kosovës. Së bashku me ministrat serbë Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq e ka ngrirë në tetor pjesëmarrjen e tij në punën e qeverisë. Të njëjtën kanë bërë edhe deputetët e listës Serpska në parlament.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme