Stoltenberg: Është koha që Suedia t’i bashkohet NATO-s

Prishtinë | 09 Jan 2023 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se është koha që Suedia t’i bashkohet NATO-s, pasi që ka bërë gjithçka që ishte e nevojshme që të sigurohet miratimi i Turqisë për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

“Është koha që të përfundojë procesi i ratifikimit për Suedinë”, shtoi kreu i Aleancës më të madhe ushtarake gjatë një interviste dhënë për të përditshmen suedeze Aftonbladet.

Në maj, Suedia dhe Finlanda braktisën politikën e tyre të gjatë të mos-angazhimit ushtarak, dhe aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n pas pushtimit rus në Ukrainë.

Kjo lëvizje kërkon miratimin unanim nga të gjithë anëtarët e aleancës. Turqia ka bllokuar procesin dhe i ka bërë presion Suedisë dhe Finlandës për të arrestuar grupet që i konsideron si organizata terroriste, dhe për të ekstraduar persona të dyshuar për krime të lidhura me terrorizmin.

Muajin e kaluar, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, tha se Suedia nuk ishte as në gjysmë të rrugës për të përmbushur angazhimet që kishte marrë për të siguruar mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin në NATO.

Komentet e tij erdhën pasi një gjykatë suedeze vendosi kundër ekstradimit të një gazetari të kërkuar nga Turqia, për lidhje të dyshuara me grushtin e dështuar të 2016-ës.

“Jam i bindur se Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s. Nuk dua të jap një datë të saktë se kur do të ndodhë. Do të jetë një proces i pazakontë dhe i shpejtë i anëtarësimit në aleancë. Zakonisht duhen disa vite”, tha ndër tjera Stoltenberg.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson, tha se Suedia ka përmbushur detyrimet e saj dhe se vendimi tani i takon Turqisë.

“Ne kemi një proces shumë të mirë së bashku me Finlandën dhe Turqinë dhe po bëjmë pikërisht atë që thamë, të cilën Turqia po e konfirmon tani”, tha Kristersson të dielën, ditën e parë të konferencës për Popullin dhe Mbrojtjen në Salen, një vendpushim skish në Suedi.

Stoltenberg dhe ekspertë suedezë të sigurisë dhe politikës së jashtme ishin në konferencë. Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Turqia ndaj komenteve të Stoltenberg dhe Kristersson. Parlamentet e 28 vendeve të NATO-s kanë ratifikuar tashmë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës. Turqia dhe Hungaria janë të vetmet anëtarë që nuk kanë dhënë ende miratimin

Të ngjashme