Stoltenberg: Pres që Suedia dhe Finlanda të anëtarësohen në NATO vitin e ardhshëm

Prishtinë | 26 Dhj 2022 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në një intervistë për dpa se pret që Suedia dhe Finlanda të anëtarësohen zyrtarisht në NATO në vitin 2023.

Stoltenberg nuk mundi të thotë se kur saktësisht do të ndodhë kjo. Megjithatë, theksoi se është “absolutisht i bindur se procesi i ratifikimit do të përfundojë në kohë”, transmeton Telegrafi.

Kreu i Aleancës Veri-Atlantike e bëri të qartë se nuk pret që Turqia, të bllokojë procesin e pranimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO. Anëtari më lindor i Aleancës, nuk e ka ratifikuar ende të ashtuquajturin protokollet e anëtarësimit për t’i hapur rrugën Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Udhëheqja turke e justifikon pozicionin e saj me mbështetjen e pretenduar të të dy vendeve për “organizatat terroriste”, duke iu referuar Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si të jashtëligjshme. Megjithatë, sipas disa spekulimeve, në bllokadën turke luajnë një rol edhe vendimet e vendeve të NATO-s që ndaluan shitjen e armëve Ankarasë.

Për shembull, Shtetet e Bashkuara e përjashtuan Turqinë nga programi i saj i prodhimit të aeroplanëve luftarakë F-35, pasi qeveria në Ankara bleu sisteme raketore S-400 nga Rusia, pavarësisht kundërshtimit nga partnerët e NATO-s për arsye sigurie.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO në maj, në kohë kur po ndodh agresioni rus në Ukrainë. Deri në fund të qershorit, mosmarrëveshja mbi mbështetjen e supozuar të Suedisë dhe Finlandës për “organizatat terroriste”, dukej se ishte zgjidhur.

Megjithatë, Turqia tani thotë se marrëveshjet e bëra në atë kohë ende nuk janë përmbushur, dhe se ato nuk po zbatohen në veçanti nga Suedia. Ndër të tjera, Ankaraja kërkon ekstradimin e terroristëve të dyshuar.

Javën e kaluar, Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu, tha në një konferencë shtypi me homologun e tij suedez Tobias Billström, se ata “nuk janë as në gjysmë të rrugës” në zbatimin e marrëveshjes.

Ai kritikoi ndër të tjera faktin që Gjykata e Lartë suedeze, ndaloi së fundmi ekstradimin e gazetarit Bülent Kenes të kërkuar nga Turqia. I pyetur nëse nuk do të ishte më mirë të kishim mundësinë e pezullimit të të drejtave të votimit të vendeve si Turqia, Stoltenberg, tha se nuk ka asnjë arsye për të spekuluar se cila do të ishte qasja nëse traktati themelues i NATO-s do të negociohej sot.

Ai vuri në dukje se ka gjithashtu dallime mendimesh midis aleatëve për çështje të tilla si demokracia dhe shteti i së drejtës, duke shtuar se NATO është një forum i rëndësishëm për aleatët për të shprehur shqetësimet e tyre. 

Të ngjashme