Thomas Strakosha do të luajë sërish titullar me Lacion në ndeshjen e së dielës në “Olimpiko” kundër Empolit. Në formacion me skuadrat e tyre do të jenë në këtë javë të Serisë A edhe Hysaj e Memushaj.
Debutoi me humbje në Serinë A, por Thomas Strakosha ka një tjetër mundësi për të shijuar fitoren e parë si titullar me Lacion.
Portieri shqiptar pritet të jetë sërish nga minuta e parë në sfidën që skuadra e tij do të luajë të dielën në “Olimpiko” të Romës kundër Empolit.
Paraqitja të martën kundër Milanit e ka bindur trajnerin Simone Inzagi dhe klubin lacial, se Strakosha do të jetë portieri i dytë në këtë sezon.
Por në javët e fundit dëmtimi i partierit të parë, Federiko Marketi, po jep mundësi 21-vjeçarit të tregojë veten dhe ndaj Empolit mund të vijë edhe fitorja e parë për të në kampionatin italian.
Titullar në javën e gjashtë të Serisë A pritet të jenë edhe dy futbollistët e tjerë shqiptarë.
Elseid Hysaj dhe Napoli i tij do të kërkojnë të kthehen te fitorja në sfidën e së shtunës kundër Kievos.
Ashtu si në sezonin e fundit, mbrojtësi shkodran vazhdon të jetë zgjedhje e parë e trajnerit Sarri dhe një nga pikat më të forta të skuadrës së tij.
Kurse për Ledian Memushajn, kapiten i Peskaras, nuk diskutohet të jetë në formacionin e parë.
Mesfushori vlonjat do të nis nga minuta e parë sfidën e së dielës në fushën e Xhenoas.
Në këtë ndeshje nga pankina do ta fillojë sërish Rei Manaj. Sulmuesi shqiptar, megjithëse shënoi që në debutim, nuk po arrin të bindë ende trajnerin Masimo Odo.