Strategjia e Kurtit për mobilizimin e votuesve

Prishtinë | 03 Gus 2023 | 23:27 | Nga Milazim Krasniqi
  1. Injorimi dhe poshtërimi i mësuesve/arsimtarëve, u bë e bëhet për të fituar simpatinë e prindërve dhe të familjeve të nxënësve. Prindër e familjarë të pakënaqur me shkollën, ka gjithmonë më shumë se sa mësues e arsimtarë. Ata më të shumtën, janë të zemëruar me mësuesit, në vend se të jenë të zemëruar me qeveritë.
  2. Injorimi i veteranëve, u bë e po bëhet për ta shfrytëzuar urrejtjen që është krijuar nga propaganda për listat e fryra, po edhe ndaj partive të dala nga lufta e në instancë të fundit edhe ndaj Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës. Urrejtjen ndaj këtyre faktorëve, kontigjentet jugonostalgjike nuk e kanë fshehur kurrë. Tash e kanë bërë kalë beteje të hakmarrjes së tyre iracionale.
  3. Fushata kundër Klan Kosovës u bë e po bëhet për të kënaqur inatin e fundamentalistëve, të nxitur nga spektakli „Big Brothder.“ Paradoksalisht, në sytë e tyre Kurti, edhe kur shfaqet me gotë rakie në dorë në mes të muajit të Ramazanit, edhe kur defilon me grupet LGBTI, duket si mbrojtës i moralit.
  4. Sulmet kundër Edi Ramës, janë bërë për të tërhequr simpatinë eventualë të të djathtëve, konservatorëve e ëndërrimtarëve idealistë, që dinë çka nuk duan por nuk dinë çka duan.
  5. Inkursioni në veri u bë për të kënaqur emocionet e atyre të rinjve që kanë nevojë për njëfarë triumfalizmi në raport me Serbinë. Ata Kurtin po e shohin si të fortë, madje edhe kur po zbythet pa asnjë rezultat.
  6. Sulmet e LVV ndaj BE e SHBA bëhen për të kënaqur euroskeptikët, që janë kontigjent në rritje.

Nga sa shihet, sulmet ndaj këtyre grupeve janë të kalkuluara. Nuk kanë lidhje me kurrfarë programi qeveritar e aq më pak me interesa shtetërore a kombëtare. Bile këto veprime janë të kundërvëna njëra ndaj tjetrës.

Sidoqoftë, kjo do të thotë se Kurti po llogaritë që vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve. Nga krizat që ka prodhuar vetë, është mbështetë për muri.

Zgjedhjet edhe mund të mbahen, ama nëse Kurti vazhdon me këtë logjikë konfronuese, kurrfarë rezultati nuk do t’i ndihmojë që të mbetet në pushtet.

Në rend të parë, nëse etiketohet si rrezikues i sigurisë së Kosovës dhe rajonit, shanset për të mbetur në pushtet i ka të barabarta e zero.

Të ngjashme