Strategjia “…edhe bar do hamë…”

Prishtinë | 15 Dhj 2021 | 17:59 | Nga Besian Mustafa

Kur KEK-u nuk prodhon energji elektrike, nuk prodhon as avull për Termokos duke lënë qindra mijëra banorë pa rrymë dhe pa ngrohje.

Pushteti i sotëm, kur ishte në opozitë, deklaronte se qytetarëve nuk ju intereson nga vie rryma, nga KEK apo nga importi, ata thjeshtë duan rrymë.

E saktë, pajtohem. E sot? Në vend që të ju sigurohet energji elektrike qytetarëve u kërkohet ta kursejnë energjinë, duke fikur çdo gjë në shtëpitë e tyre! E për ngrohje? Mos përdorni energjinë elektrike, mos përdorni drutë, mos përdorni thëngjillin, ngrohjen qendrore ua ndalë KEK/Qeveria… mërdhijuni! Sëmuruni!

Në vend të propagandës boshe dhe urdhrave qesharake drejtuar qytetarëve, Qeveria duhet të ketë strategji të qartë të energjisë:

  • Nëse nuk prodhon energji elektrike KEK-u, ku, kur, sa dhe me çfarë çmimi mund të importojmë atë?
  • Kur nuk punon KEK-u, si do të ngrohen banorët e Prishtinës?
  • Kanë deklaruar vazhdimisht se janë kundër përdorimit të thëngjillit. Ku, kur, sa dhe me cfarë çmimi do të prodhohet energji elektrike nga burimet e ripërtërishme?
  • A funksionon Termokosi pastaj nga këto burime të ripërtërishme apo duhet kthyer ngrohjen me mazut? Apo duhet mbyllur pastaj Termokosin dhe të ndërtohet sistem tërësisht i ri i ngrohjes qendrore? Nëse po, ku, kur dhe me çfarë çmimi do të ndërtohet ky sistem i ri?
  • Nëse kemi pengesa të furnizimit me karburant, cilat janë alternativat? Sa shpejtë dhe me çfarë çmimi zbatohen ato?
  • A janë ende të sigurt se nuk kemi nevojë për gazin natyror?
  • Po për thëngjillin?
    Të qenurit në pushtet kërkon gjetje të përgjigjeve dhe zgjidhjeve për problemet e qytetarëve. Nuk mjaftojnë fjalët e mëdha boshe.
    Strategjia “…edhe bar do hamë…” nuk i ofron popullit zgjidhje por thjeshtë fjalë të mëdha e shtëpi të ftohta e të errëta.

Të ngjashme