Strategu gjerman i vëzhgon talentet kosovarë në Qendrën AFF

Prishtinë | 25 Tet 2019 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Maik Kaszmeikat, trajneri gjerman dhe shefi i akademisë së futbollit në Berlin Sons of Soccer, i ka vëzhguar futbollistët e rinj të talentuar kosovarë gjatë një vizite në Qendra Sportive Trajnuese AFF në Prishtinë.

Kaszmeikat, i cili kohë më parë nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi pesëvjeçare me AFF-në, e cila udhëhiqet nga Liridon Mirena, e ka vlerësuar lart punën e këtij të fundit me të rinjtë kosovarë.

Synimi i marrëveshjes mes Sons of Soccer dhe AFF-së është dërgimi i talenteve kosovarë në Gjermani për prova, një mundësi shumë e mirë për të rinjtë që aspirojnë depërtimin në futbollin evropian dhe realizimin e ëndrrës për t’u bërë futbollistë profesionistë.

Trajneri Gjerman ka thënë se e vlerëson shumë punën e trajnerit dhe themeluesit të AFF-së, Liridon Mirena, me të rinjtë që i vijojnë stërvitjet në qendrën e tij në Kosovë.

Por kjo nuk është hera e parë që Kaszmeikat vjen në Kosovë për t’i vëzhguar futbollistët e rinj kosovarë, me qëllim për t’u dhënë mundësi atyre të bëjnë prova në Gjermani, natyrisht përmes AFF-së, transmeton Express. Puna e Mirenës dha fryt gjatë verës, kur AFF-ja dhe Sons Of Soccer organizuan një kamp futbolli, nga i cili shumë të rinj të talentuar nga Kosova u përzgjodhën për prova në Gjermani.

Të përzgjedhurit do të udhëtojnë drejt Gjermanisë në prill të vitit 2020, për t’i kryer provat në njërin prej vendeve me futbollin më të zhvilluar në botë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme