Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli në një deklaratë për Ekonomia Online tha se edhe pse ka rënie të numrit të të infektuarve me Covid-19, prapë se prapë nuk është vërejtur ndonjë lehtësim sa i përket gjendjes së shëndetit mendor të qytetarëve.
Havolli thotë se puna e vazhdueshme e Shoqatës së Psikologëve dhe ofrimi i shërbimeve ka bërë që te shumë individë të ndikojë pozitivisht.
Sipas tij, duhet hartuar politika më afatgjate ngase hapat që kanë ndërmarrë institucionet janë të mangët dhe jo të duhur.
“Nëse nisim situatën pandemike ku edhe tashmë kemi rënie të numrave të individëve dhe nëse e lidhim paksa edhe me shëndetin mendor, e shohim se nuk është vërejtur ndonjë lehtësim i individëve në këtë pjesë apo ndryshim i përjetimit të situatave të ndryshme për aq kohë sa shëndeti mendor nuk vendoset në plan të parë me shëndetin fizik dhe nuk mundemi me qenë të kënaqur”.
“Puna e vazhdueshme në kuadër të Shoqatës së Psikologëve normalisht që ka ndikuar pozitivisht tek shumë individë sepse kemi ofruar shërbimin dhe këshillimin dhe normal që ata i ka lehtësuar në raport me situata të ndryshme. Por që nëse nisemi nga mekanizmat atëherë duhet të shohim planin afatgjatë dhe ku çdoherë duhet të veprojmë ku thirrja jonë ka qenë te çdo aktivitet dhe hartimi i politikave afatgjate”.
“Nëse nisemi nga aspekti që nëse përfundon pandemia apo edhe nëse vazhdon, atëherë kemi mjaftë punë për të bërë për faktin se gjatë kësaj kohe është grumbulluar stresi akut tek individët dhe nëse vazhdon pandemia është problemi që ata të përballen me shtimin e dhunës në familje dhe që ne si Shoqatë dhe si psikolog kemi ngritur shqetësimin se duhet të ngriten qendra që trajtojnë këto çështje. Dhe hapat që kanë ndërmarrë institucionet janë hapa të mangët dhe jo të duhur”.
Neuropsikiatri dhe drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se niveli i stresit për dallim me periudhën kur numri i të infektuarve me Covid-19 ishte më i madh tash qytetarët janë më të relaksuar.
Por ai thotë se edhe pse gjendja është më e qetë kjo nuk duhet të krijojë hapësirë për lirim stresi sepse prapë mund të kemi valë infektimesh.
“Niveli i stresit është më i vogël se në periudhën kur i kishim 36 viktima nga Covidi, atëherë intensiteti i frikës ka qenë jashtëzakonisht i madh, niveli i stresit poashtu ka qenë i madh dhe mund të them që për herë të parë jam frikësuar edhe unë, sidomos në ato momente kur vinin lajme nga më të ndryshmet për mungesë të shtretërve dhe të tjera”.
“Sa i përket gjendjes aktuale që ka rënë numri i të prekurve me Covid-19 kjo është një lajm i mirë por jo edhe një lajm që do na lejonte prapë që t’i shkelim masat e nevojshme për mbrojtjen nga pandemia sepse prapë po kemi valë të infektimeve. Duhet të ndërgjegjësohemi sepse masat janë e vetmja armë që e kemi në luftë me Covidin”.
Rexhepi thekson që Covidi ka detyruar njerëzit që të ndërgjegjësohen më shumë për shëndetin mendor e që pasojat do të jenë evidente edhe në të ardhmen.
“Mjerisht që Covidi po na detyron që të ndërgjegjësohemi më tepër për shëndetin mendor, për shkak se përveç problemeve fizike të shëndetit fizik tek personat që kanë qenë të sëmurë nga Covid-19 ajo frikë ka mbetur tek ata persona sepse ka qenë një sëmundje që ka kërcënuar shumë jetëra dhe ajo frikë nuk tejkalohet për dy ditë por që mbetet dhe jep shkëndija të frikës dhe ankthit”.
Edhe Erblin Havolli, student i Psikologjisë thotë se gjendja e të rinjve është vështirësuar shumë sidomos në periudhën e pandemisë.
Sipas tij, kufizimi i lëvizjes e mbajtja e ligjëratave online në njëfarë forme ka bërë që te të rinjtë të shtohet doza e stresit dhe ankthit.
“Gjendja e të rinjve kryesisht është vështirësuar për shkak të pandemisë sepse kjo situatë pandemike ka pezulluar shumë aktivitete të të rinjve. Që nga koha e studimeve ku shumicën e kohës ligjëratat janë mbajtur online, dhe kufizimet e shumta që e kanë vështirësuar aktivitetet e tyre si kufizimi i lëvizjes dhe shumë kufizime të tjera, frika nga infektimi, informatat kontradiktore që kanë ndikuar edhe psikesh tek të rinjtë duke shtuar atyre dozën e stresit, ankthit dhe frikës”.
Tutje ai përmend se për të personalisht ka qenë e vështirë sepse janë pezulluar shumë punë dhe në praktikë ka pasur ngecje.
Ai shpreson që me lirimin e masave të kthehet vendi në normalitet, raporton EO.
“Nuk ishte një gjendje që të themi edhe shumë e lehtë sepse këto të gjitha kanë ndikuar në pezullimin e studimeve, ja p.sh edhe unë jam student dhe kemi mbetur në praktikë ka pasur shumë ngecje, por me këto lirime që kanë ndodhur mendoj që mund të vazhdohet me pozitivitet”, përfundoi ai.