Kosova ka mundësi të ndjekë një dinamikë të shpejtë të rimëkëmbjes ekonomike, por për këtë nevojitet diskutim gjithëpërfshirës ndërmjet të gjithë hisedarëve relevantë, por edhe ndryshimi i strukturës ekonomike. Këto tema u diskutuan në forumin virtual mbi Mundësinë e një Shpërthimi Ekonomik pas pandemisë COVID19 të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë. Një panel i përbërë nga ekspertët financiarë, Dardan Sejdiu, Ramis Ahmetaj dhe Bersant Disha, diskutuan për ndikimin e COVID19 si dhe për hapat që duhen ndërmarrë pas nisjes së fazës së rimëkëmbjes ekonomike. Ata mes tjerash thanë se humbja në masë të madhe e vendeve të punës, rënia e kërkesës agregate si dhe mungesa e likuiditetit financiar do të krijojnë një situatë shumë të vështirë për ekonominë e Kosovës.
Dardan Sejdiu, deputet i legjislaturës 2017-2019 dhe ekspert financiar, theksoi se rënia e kërkesës agregate ka ndikuar dukshëm në rritjen e papunësisë, dhe nëse ajo vazhdon të bie një situatë shumë e pakëndshme do të krijohet për vendin. Sejdiu tha se politikat që duhet ndjekur për rimëkëmbjen e ekonomisë duhet të jenë agresive në rritje të kërkesës agregate dhe kjo mund të arrihet me programe të jashtëzakonshme të cilat duhet t’i ndërmarr shteti. Ai shtoi se Qeveria e Kosovës duhet të investojë shumë në ndërtimin e programeve të cilat e bëjnë mirëmbajtjen e kërkesës agregate dhe e përgatisin ekonominë për situatën pas pandemisë. Sipas Sejdiut, ne duhet të fokusohemi në strukturim të ekonomisë, ose çdo goditje globale financiare dhe ekonomike do të na kthejë në shkallën e parë. Por çfarëdo rezultati nuk mund të as paramendohet pa një diskutim gjithëpërfshirës ndërmjet institucioneve të vendit dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në këtë aspekt.
Bersant Disha, drejtor ekzekutiv në Recura Financials prezantoi të gjeturat e një studimi të kryer nga Oda Amerikane bashkë me katër asociacione tjera të bizneseve mbi ndikimin e COVID19 në ndërmarrjet kosovare, duke shprehur shqetësimin e tij rreth të ndikimit që pandemia ka pasur në ndërmarrjet kosovare. Disha e konsideroi element kyç të kësaj krize humbjen enorme të vendeve të punës, dhe theksoi se mbështetja nga qeveria duhet të fokusohet në konservimin e punësimit. Ai tha se duke e marrë parasysh fragjilitetin e ekonomisë tonë, të cilës i janë dashur njëzet vite të arrijë në shkallën aktuale të punësimit, sfida të ndryshme do të na shfaqen për të e kthyer atë në nivel pas pandemisë. Sipas tij, përveç pakos emergjente për përkrahjen e sektorit privat, përshpejtimi i planifikimit të pakos së dytë fiskale është kyçe në mënyrë që bizneseve t’u ofrohet ndihmë për të mbijetuar.
Ramis Ahmetaj, konsulent i biznesit, tha se duke marrë parasysh zhvillimet ekonomike në vend dhe në rajon ku struktura e ekonomisë vazhdimisht po dëmtohet dhe papunësia po rritet, rikuperimi ekonomik dhe kthimi në gjendjen para fillimit të krizës do të marrë shumë kohë dhe do të jetë jashtëzakonisht i vështirë. Ai i cilësoi si optimiste parashikimet e Qeverisë së Kosovës mbi dëmin që kriza ekonomike do t’i sjell vendit, e veçanërisht nëse aty kalkulohet edhe kostoja oportune. Ahmetaj shtoi se kriza aktuale duhet minimizuar, ku sugjeroi që të zhvillohet një sistem ekonomik më gjithëpërfshirës, të rritet numri i ndërmjetësuesve financiar, dhe të shfrytëzohet ky rast që të ndryshohet struktura ekonomike dhe mënyra e të bërit biznes në vend.
Ky forum virtual i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë u mbështet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.