Në veri të Kosovës vazhdon funksionimi i strukturave paralele serbe, të ngritura dhe mbështetura nga Beogradi zyrtar, që nga periudha e pasluftës. Përkundër marrëveshjes politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel për shuarjen e tyre, ekzistenca e këtyre strukturave konfirmohet nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.
Aktualisht këto struktura organizohen dhe funksionojnë në kuadër të të ashtuquajturave organe të përkohshme, që drejtohen nga strukturat paralele, të mbështetura dhe financuara nga Serbia. Po ashtu, edhe punonjësit në këto organe paralele paguhen nga shteti serb.
Autoritetet e Kosovës theksojnë se janë të vetëdijshme për funksionimin e këtyre strukturave, të cilat i cilësojnë krejtësisht të papranueshme. Për të mundësuar integrimin e tyre, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar edhe Ligjin për amnisti.
Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se po punohet në shuarjen e të gjitha strukturave paralele që ekzistojnë në veri të vendi.
“Ne kemi zhbërë dhe po zhbëjmë strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë dhe këta njerëz që kanë punuar në këto struktura [për ta] kemi aplikuar ligjin e amnistisë. Tani po i shtrijmë institucionet dhe këta njerëz po i punësojmë me ligj edhe në emër të Kushtetutës, që qytetarët tanë janë në gjithë Kosovën, prandaj edhe po integrojmë dhe ri integrojmë”, ka deklaruar Tahiri.
Kurse, përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kuvendin e Kosovës konsiderojnë se partitë politike në pushtet, PDK- LDK dhe Lista Serbe, janë duke e thelluar ndarjen e Kosovës, siç theksojnë ata, si në veri ashtu edhe në jug.
Rexhep Selimi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtar i Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka deklaruar në Kuvend se nga funksionimi i strukturave paralele në veri “nuk ekziston Republika e Kosovës”.
“Ashtu siç këta partnerë të koalicionit e kanë ndarë tortën e pushtetit këtu në Prishtinë, po ashtu edhe me keq e kanë ndarë Kosovën në dy pjesë, ku në njërën anë sundon mafia e pushteti, e në anën tjetër Serbia me banda kriminale. Atje nuk i vjen era shtet i Kosovës. Atje nuk ka FSK, madje as Policia e Kosovës nuk është polici e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga ajo pjesë”, ka deklaruar Rexhepi.
Prania e strukturave paralele nuk mohohet as nga Policia e Kosovës. Por, sipas organeve të rendit, këto struktura janë zbehur dhe nuk kanë më fuqi administrative siç kishin vite më parë.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës, Besim Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga aspekti administrativ i funksionimit të strukturave paralele të sigurisë, ato janë inekzistente në veri, pavarësisht pranisë së tyre.
Sipas Hotit, grupet të ndryshme kriminale mund të jenë të pranishme, por struktura të sigurisë nga Serbia ligjërisht nuk ka në Kosovë.
“Ato struktura janë të shkrira në kuadër të Policisë së Kosovës dhe ne më nuk kemi ndarje të strukturave paralele dhe atyre legjitime, sepse konsiderojmë se kemi një strukturë që është legjitime dhe quhet Policia e Kosovës. Ju e dini se procesi i integrimit është realizuar me sukses dhe në radhët e policisë së Kosovës janë integruar diku 280 pjesëtar të ish- Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”, ka thënë Hoti.
Kohë me parë, drejtuesit e komunave paralele në veri të Kosovë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se shuarja e organeve të përkohshme është ëndërr që nuk do të realizohet.
“Kemi garanci të forta nga Qeveria e Republikës së Serbisë që shuarja e organit të përkohshëm nuk do të ndodhë”, patën deklaruar ata.
Në anën tjetër, për autoritetet e Kosovës, shuarja e këtyre organeve është një nga kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si një prej marrëveshjeve kryesore të arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Sipas marrëveshjes, strukturat paralele serbe, si ato të sigurisë, drejtësisë dhe administratës, do të shuhen, qoftë përmes integrimit në kuadër të sistemit legal kushtetues të Kosovës apo edhe pensionimit dhe formave tjera ligjore. / REL