Studentë nga bursa YCS presin të ofrojnë kontributin në institucionet shtetërore

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Bursa e Bashkimit Evropian për studime të nivelit MASTER në universitetet Evropiane, apo më e njohur si Skema e Profesionistëve të Rinj (YoungCellScheme – YCS) është ndër projekte më të suksesshme të BE-së në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Përderisa BE-ja mbulon të gjitha shpenzimet e bursistëve, është obligim i institucioneve të Kosovës të sigurojnë punësimin e tyre në administratën publike. Në këtë formë, bursa kontribuon në ndërtimin e një administrate të pavarur, me integritet dhe profesionale.

Gjatë vitit 2019, shoqëria civile, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtar, ka monitoruar zbatimin e bursës YCS dhe njëkohësisht jemi zotuar se do të vazhdojmë të përcjellim zhvillimet sa i përket bursës YCS dhe punësimin e bursistëve në institucionet shtetërore me qëllim të krijimit të një administrate me integritet, të pavarur dhe profesionale dhe në shërbim të qytetarëve.

Në këtë drejtim, shprehim shqetësim që nga 50 bursistë të cilët kanë përfunduar studimet e tyre MASTER gjatë vitit 2019, 1/3 e tyre ende nuk janë punësuar brenda institucioneve të Kosovës.

Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen në kualifikimet e jashtëzakonshme të 50 bursistëve respektiv:

  • Kanë vijuar studimet në Holandë, Angli, Belgjikë, Francë, Austri, Gjermani dhe Irlandë;
  • Kanë vijuar studime në universitetet prestigjioze, siç janë Universiteti i Amsterdamit, Université Paris II – AssasSorbonne, Universiteti i Mastrihtit, Universiteti Vjenës, Universiteti i Qytetit të Londrës, Kolegji i Mbretit – Londër, Universiteti i Mançesterit, etj;
  • Kanë vijuar studime në fusha të veçanta dhe deficitarë, siç janë: ndërmarrësia sociale, menaxhimi mjedisor dhe energjetik, e drejta e punësimit, sistemet statistikore, qeverisja globale ekonomike dhe çështjet publike, tregtia ndërkombëtare dhe e drejta e investimeve, etj.

Në këtë drejtim, ftojmë të gjitha institucionet shtetërore për punësimin sa më të shpejtë të bursistëve nga bursa YCS me qëllim të evitimit të rrezikimit të bursës dhe mundësive për gjeneratat e ardhshme dhe avancimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme