Studentët me aktivitet kundër heqjes së flamurit nga Rektorati

Prishtinë | 04 Maj 2017 | 12:39 | Nga

Lëvizja studentore për barazi – “Studim Kritikë Veprim”, ka reaguar ndaj heqjes së flamurit kombëtar nga rektorati i Universitetit të Prishtinës.

Aktivisti i SKV-së, Fatri Zhitia, tha se në vazhdën e skandaleve të një pas njëshme që po prodhohen nga Universiteti i Prishtinës, u bë edhe një veprim tërësisht i papranueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjithë shqiptarët në përgjithësi.

“Aktivistë të SKV-së shkruam një parullë në objektin e rektoratit të UP-së, citat nga Hasan Prishtina ‘Njeriu pa kombin është asgjë, e kombi pa brezat e ardhshëm shuhet’. Ky institucion emri i të cilit i është vënë ‘Hasan Prishtina’ dëshmoi më së miri se në çfarë rruge dhe çfarë projekti kombëtar ndjek ajo”, ka thënë ai.

“Në njërën nga sallat e rektoratit të Universitetit të Prishtinës ku pritej që të mbahej një ligjëratë nga Alan Watson nga Richmond CBE i Anglisë me temën ‘What Brexit means?’ në mënyrë tejet të gabuar u hiq flamuri kombëtar nga radha e flamujve të  tjerë”.

“Ne respektojmë të gjitha kombet si dhe simbolet e tyre, ashtu sikurse edhe flamurin e Britanisë, megjithatë asnjë flamur nuk zëvendëson flamurin tonë kombëtar”.

“Hasan Prishtina patriot dhe intelektual shqiptar u angazhua gjatë tërë jetës së tij për arsimim të popullit në funksion të kombit shqiptar dhe ngritjes së tyre. Klanet e paskrupullta që kanë kapur UP-në dihet tashmë që kanë braktisur idenë e ngritjes së kombit shqiptar, madje çdo herë e më shumë po e dëshmojnë se si po e mohojnë atë. Ne nuk do të lejojmë që të njëjtën ta bëjnë edhe përmes institucioneve tona”.

“Hasan  Prishtina shkriu tërë pasurinë për arsimin, ndërsa të pushtetshmit në UP po shkrijnë të gjithë arsimin e kombin në funksion të pasurisë së tyre. Kjo duhet të ndalet. Këtë do ta ndalim”, ka theksuar Zhitia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme