Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka organizuar një ligjëratë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, u ka folur studentëve për rolin, aktivitetet dhe rëndësinë e kësaj banke, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se misioni i BQK-së është të ruajë stabilitetin financiar, të sigurojë sistem efektiv të pagesave dhe furnizim me para të gatshme.
“BQK-ja është një lloj bankieri për bankat komerciale dhe qeverinë, menaxhon furnizimin e vendit me monedha, luan rol në politikat qeveritare, me ndikim e saj luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ai.
Më tutje, Mehmeti theksoi se roli kryesor i BQK-së është që të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Kosovës përmes zhvillimit të tregut financiar.
“Misioni i BQK-së është i përcaktuar me ligj; është të ruajë stabilitet financiar, të sigurojë sistem efektiv të pagesave dhe furnizim me para të gatshme; t’i ofrojë këshilla ekonomike qeverisë dhe subjekteve të tjera publike. BQK-ja menaxhon shumicën e mjeteve të Qeverisë, Ministrisë së Financave, AKP-së, bankave komerciale dhe institucioneve të tjera financiare. Rol tjetër është të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Kosovës përmes zhvillimit të tregut financiar”.
Zv.guvernatori Mehmeti tha se bankat në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit për shkak të rritjes së kreditimit. Sipas tij, pritet që sivjet të ketë rritje të kredive në 13 për qind. Nga ana tjetër, kreditë joperformuese janë shumë të ulëta, nën nivelin 4 për qind.
“Me këtë, ne jemi shumë më mirë në raport me vendet e rajonit. Përderisa vendet e rajonit flasin për rritje të kreditimit, ne flasim vetëm për tregues pozitivë që kemi rritje të depozitave dhe të kreditimit, siç kemi një ulje të normave të interesit, e cila nga 13 për qind sa ishte në vitin 2013 tani ka rënë në 7 për qind”, deklaroi ai.
Për studentët, ai shpjegoi dhe sistemin e regjistrit të kredive. “Regjistri i kredive është një regjistër publik që menaxhohet nga BQK-ja, që jep informata mbi kreditë e klientëve të institucioneve kredi-dhënëse. Kjo bëhet që të identifikohen kredimarrësit jo të mirë. Te regjistri bëhet rangimi i kredimarrësve, sipas kryerjes së obligimeve ndaj kredisë që kanë marrë”, tha ai.
Mehmeti sqaroi se meqë Kosova ka si valutë euron, BQK-ja ka një rol të kufizuar të politikave monetare.
“BQK-ja është e obliguar të importojë dhe të ruajë monedhën zyrtare, por ne kemi fatin që kemi euron dhe nuk kemi valutën tonë për shkak se ne nuk kemi rrezik për sigurimin valutorë”.
Ai ka folur edhe për rolin e dërgesave që bashkatdhetarët tanë sjellin në Kosovë, duke thënë që për shumë vite kjo ka bërë që të mbahet gjallë ekonomia e Kosovës.
“Bashkatdhetarët tanë përmes remitencave me vite kanë ndihmuar që të mbahet gjallë ekonomia e Kosovës”, tha ai.