Një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës zhvilluan një vizitë njohëse në mjediset e portit të Durrësit.
Grupi prej 54 studentësh, të shoqëruar dhe nga pedagogë të fakultetit të Inxhinierisë është mirëpritur nga stafi i APD. Në Sallën e Trajnimeve ata kanë ndjekur një leksion të shkurtër mbi kapacitetet portuale.
Gjatë vizitës në kalatat e portit studentët nga Kosova i përshëndeti dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Agron Tare.
Prof. Ilir Doçi, prodekan i fakultetit u shpreh se “në pamundësi që ti shohim në Kosovë teknologjitë bashkëkohore për përpunimin e mallrave me anije, ne gjetëm mirëkuptimin dhe mikpritjen e APD për tu njohur me to, duke filluar nga ngarkimi, transporti i mallit e deri të shkarkimi”.
Studentët e nivelit bachelor dhe master dhe 2-3 Profesorë të fushave përkatëse ishin pjesë e Fakulteteve të Inxhinierisë Mekanike, Komunikacion dhe Transport, Inxhineri Industriale dhe Menaxhim, Konstruksione dhe Mekanizëm si dhe drejtimi Mekatronikë.
Ata shprehën mjaft interes për njohuritë praktike, si dhe për një bashkëpunim të mundshëm mes Universitetit të Prishtinës dhe APD-së.
Kohët e fundit portin më të madh të vendit e kanë vizituar edhe student të degës së navigacionit në universitetin “Aleksandër Moisiu” si dhe nxënës të shkollave të mesme nga Durrësi dhe Tirana.