Kërkesat e shumë studentëve të cilët jetojnë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, kanë bërë që pas 11 vitesh të rihapet Qendra e Mjekësisë familjare e cila do u shërbej vetëm banorëve të kësaj qendre studentore.
Ministri MASHT-it, Arsim Bajrami tha se studentët tani kanë një qendër me një objekt modern të mjekësisë familjare.
Ai tha se Kampusi i studentëve ofron të gjitha kushtet dhe tani studentët do të kenë mundësi 24 orë për kontroll.
Bajrami falënderoi komunën e Prishtinës për këtë bashkëpunim.
“Falë bashkëpunimit me komunën e Prishtinës po përurojmë qendrën familjare për studentët e të cilët janë banorë të kësaj qendre studentore. Kjo qendër do jetë në shërbim të 4 mijë studentëve. Do t’i marrin shërbimet primare spitalore ky është një kujdes po tregojnë drejtë studentëve. Po ofrojmë një jetë të rehatshme që u duhet studentëve dhe moderne mendoj që hapja e kësaj qendre do të kthejë traditën e vjetër në kohën kur kemi qenë ne studentë mjekësia familjare ka qenë e funksionalizuar.”, tha Bajrami.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se edhe pse nuk është kompetencë e tyre që të ofrojnë shërbime për banorët të cilët nuk janë prishtinas, nuk kanë hezituar të bashkëpunojnë me MASHT-in, për të funksionalizuar këtë Qendër që do të jetë në shërbim të të gjithë studentët e UP-së.
“Para një viti e gjysmë me drejtorin e kemi vizituar qendrën e mjekësisë familjare dhe së bashku me ministrinë kemi punuar për rifunksionalizimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare. Edhe pse nuk është përgjegjësi dhe në fakt nuk kërkohet nga ne si komunë e Prishtinës që të ofrojmë shërbime për banorët që janë jashtë Prishtinës. Por megjithatë kërkesa e madhe e studentëve që janë dhe jetojnë dhe janë 9 muaj në vit banorë të rregullt të komunës së Prishtinës ne tashmë do të ofrojmë shërbimet e mjekësisë familjare për të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës”, ka thënë Ahmeti.
Fatmir Sfishta nga qendra Studentore ka thënë ky është investim kapital, ku dhe ofrohen të gjitha kushtet për të gjithë studentët.
“Studentët atë që kërkuan edhe e kanë arritur, sic tha edhe kryetari do të rriten shërbimet mjekësore për studentët dhe shpresoj që tash e tutje studentët do t’i kryejnë vizitat mjekësore për shërbimet e tyre të cilat i kanë”, tha ai.
Në këtë qendër do të jenë të punësuar 5 mantelbardhë, ndërsa do të punohet vetëm në orarin e paradites.