Studentët e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” do të kryejnë praktikën në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor (MMPH). Për këtë qëllim, u.d. i ministrit të Mjedisit, Ferat Shala, dhe rektori i UPz-së, Ramë Vataj, nënshkruan të mërkurën një memorandum mirëkuptimi.
Shala e falënderoi rektorin Vataj për gatishmërinë e rritjes së bashkëpunimit në nivel zyrtar.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po konkretizon marrëveshjet të cilat do të hapin shteg të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërinstitucional, ku shkenca dhe menaxhimi do të jenë pjesë përbërëse e planifikimit tonë, ku shkenca dhe rinia do të jenë ata që do të dhënë kontributin maksimal jo vetëm në përgatitjen e tyre, por edhe në dhënien e vlerave shkencore dhe akademike në bashkëpunimin ndërinstitucional, në fushën e menaxhimit të parqeve të planeve urbane dhe shumë sfera tjera që ky universitet ka në kuadër të vet kapaciteteve shkencore akademike”, ka thënë Shala.
Kurse, rektori i Universitetit të Prizrenit tha se me këtë marrëveshje, studentët e tyre do të kenë mundësi të bëjnë praktikë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe t’i shfrytëzojnë parqet nacionale. “Ne kemi një program i cili është unik në Kosovë”, ka thënë Vataj.
“Studentët përveç që do të kenë mundësi të bëjnë praktikë, ne do të kemi mundësinë që Ministrisë t’i ofrojmë konsulencë, apo pjesëmarrje aktive të legjislacionit për fusha të caktuara, me të cilat Universiteti ka kompetencë”, ka shtuar ai.