Organizata “Studim Kritikë Veprim” bashkë me dy organizatat tjera studentore “UPSK” dhe “Reforma” kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit që t’i lirojë studentët nga të gjitha tarifat për vitin akademik 2020-2021.
Ata këtë e kanë arsyetuar për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike për shumë familje të shkaktuar nga pandemia.
Berita Abazi, ka thënë se kanë kërkuar nga këshillat e fakulteteve që të gjithë studentët të lirohen nga tarifa, këtë kërkesë e kanë dorëzuar edhe në MASh.
“Ne bashkë me dy organizata të tjera dhe Unioni i Pavarur i studentëve të Kosovës sot e protokolluam kërkesë drejtuar ministrit të Arsimit Ramë Likaj. Kërkesa jonë derivon nga ajo që ne kemi kërkuar para një jave nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, ku si organizatë studentore kemi kërkuar nga këshillat që studentët të lirohen nga të gjitha tarifat për shkollim në vitin akademik 2020-2021”.
Ndërsa Oktaj Hasani, tha se arsyeja pse e kanë nisur këtë iniciative ka qenë që të financohen studentët teksa gjendja me pandeminë e ka goditur direkt ekonominë e vendit e cila ka ndikuar që një numër i madh i njerëzve të largohen nga puna.
“Një element i tillë ka ndikuar që të mbesin edhe pa financim dhe si rrjedhoje shumica kanë menduar ti ndalojnë studimet. Një element i tillë është i papranueshëm dhe kemi dalë që të kërkojmë nga MASH, të largohen studentët nga tarifa “
Hasani beson se MASH, do t’i marrë parasysh këto kërkesa dhe duhet plotësohen sepse shtresa e studentëve është më e goditura nga Covid-19.