Studentët kosovarë ia shohin “sherrin” vizave

Prishtinë | 07 Maj 2017 | 13:22 | Nga

Studentë të universiteteve publike si dhe të atyre private në vend janë të detyruar ta anulojnë pjesëmarrjen në konferenca e në seminare jashtë vendit në mungesë të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Afatet kohore për të aplikuar që të jenë pjesë e një udhëtimi studimor mbyllen derisa atyre u kthehet përgjigja për vizë, e që në të shumtën e rasteve rezulton të jetë përgjigje negative për ta.

Studentët kosovarë kërkojë të mos mbesin peng të marrëveshjeve politike. Secili nga ta rrëfen për përvojën e refuzimit të vizës apo mbylljes së afatit të aplikimit për pjesëmarrje në një konferencë ndërkombëtare derisa i kthehet përgjigja për vizë nga ambasadat e vendeve diplomatike që janë në Kosovë.

Besnik Avdiaj, student në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës (UP), “Hasan Prishtina”, thotë se në nëntor në vitin 2015 kishte ftesë që të marrë pjesë në një kongres ndërkombëtar ndërdisiplinor si përfaqësues i studentëve të UP-së në Kroaci.

“Pikërisht për shkak të procedurave që të pajisem me vizë, procedurave të gjata, garancioneve për akomodim, garancioneve për shpenzime në vendin ku shkon, garancioneve për siguri kundër veprimit ilegal… nuk kam arritur që të pajisem me viza.

Prandaj edhe kam humbur një rast shumë të mirë për të marrë pjesë në një konferencë të nivelit ndërkombëtar në Riekë të Kroacisë, jo vetëm të shkencave ekonomike”. Avdiaj thotë se në përgjithësi ka shumë studentë të tjerë që janë më shumë të angazhuar dhe aktivë në punën kërkimore si dhe që të marrin pjesë në organizime të tilla qoftë në seminare, konferenca apo edhe trajnime e simpoziumeve shkencore, por për shkak të proceduarve për pajisjen me viza, sipas tij, edhe atyre u del problem për arritjen në kohë për ta marrë vizën dhe për ta zënë pjesëmarrjen atje.

Studentët: Jemi pengje të mosmarrëveshjeve politike

Avdiaj bën të ditur se në përgjithësi afati për të aplikuar për pjesëmarrje studimore është shumë i afërt me kohën veç kur do të duhej të ishe i pajisur me vizë. “Sugjerimi më i mirë që u bëhet të gjithëve është që ta marrin një vizë Schengen, mirëpo edhe këtu dalin njëmijë procedura të tjera që të pajisesh më vizën”.

Ai thotë se studentët që kanë sadopak mbështetje financiare qoftë nga jashtë apo qoftë nga brenda institucionit ku ata janë pjesë e tij e kanë më të lehtë, sepse ata arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet dhe ta bëjnë atë pjesën e garantimit financiar të shtetit ku duan të shkojnë, kurse sipas tij për ata që nuk e kanë këtë mundësi është vështirë që të aplikohet se kërkohen tarifa të aplikimit dhe në pjesëmarrje, çka ua pamundëson, siç shprehet ai, edhe që të mendojnë të aplikojnë për të marrë pjesë në diçka.

“Nëse do të kishte liberalizim të vizave për shumë studentë asnjëherë nuk do të kishte problem për të marrë pjesë në ndonjë seminar në Evropë, thjesht të paktën në aspektin financiar dhe në atë kohor do të ndihmonte shumë”.

Avdiaj thotë se pjesëmarrja e studentëve në këto konferenca ndihmon që të përfaqësohet Kosova në shumë organizime, por në të njëjtën kohë e quan të domosdoshme për të krijuar përvoja dhe për të marrë njohuri të ndryshme që kanë vendet tjera në praktikë. Ai apelon që të plotësohen kriteret e të ndodhë liberalizimi që studentët kosovarë, siç shprehet ai, të mos jenë peng i marrëveshjeve të ndryshme politike apo bllokadave të partive.

“Ne nuk duhet të pësojmë e as të jemi peng që t’i humbim këto përvoja, qoftë për avancim personal e pastaj për t’i kontribuar shoqërisë sonë”, thotë Avdiaj.

Ndërkaq Argjend Softolli, anëtar i Parlamentit Studentor, thotë se problemi për t’u pajisur paraqitet tek shumë studentë që duan të pajisen me viza. Si pasojë e kësaj ai thotë se po pamundësohet pjesëmarrja e të rinjve në sesione me karakter shkencor.

“Për ta marrë një vizë një të riu i duhen një mal dokumentesh vetëm për të aplikuar për vizë, ndërsa shpesh edhe vizat u refuzohen, transmeton zeri.info.

Personalisht mua më ka ndodhur që pothuajse të gjitha seminaret e konferencat që më kanë ftuar në vende të ndryshme nuk kam mundur të udhëtoj për shkak të regjimit për viza”, thotë ai.

Ndërkaq Mexhid Ramusa, kryetar i “Demokracia Studentore”, thotë se jo vetëm që humbin pjesëmarrjen në konferenca apo në seminare, por sipas tij edhe si organizata studentore kanë shumë probleme për viza.

“Për shkak të mosbesimit se ne mundemi të mos kthehemi nuk paraqesin siguri ose kriteri që e kërkojnë është kontrata e punës të cilën studentët nuk e posedojnë, nuk janë pra të punësuar, janë studentë dhe ky është një izolim për ne”, thotë ai duke shtuar se problemi kryesor tek studentët qëndron edhe për terminin për vizë.(Zeri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme