Organizata Studentore “Reforma” ka nisur një peticion me anë të të cilit kërkon rifillimin e ligjëratave universitare në formë fizike.
Në peticionin e tyre, studentët kundërshtojnë vendimet e fundit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sipas të cilëve, të gjitha institucionet universitare në Republikën e Kosovës do të vazhdojnë ligjëratat në formën online.
Studentët e quajnë të pakuptimtë mbylljen e universiteteve për shkak të pandemisë, derisa janë hapur kafiteritë dhe fushata zgjedhore e partive politike po vazhdon pa u penguar.
“Është e pakuptimtë të mbyllet shtëpia e dijes, ndërsa të lejohen tubimet e propagandës! Ftojmë të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës që me anë të nënshkrimit të këtij peticioni, të përgjigjen ndaj vendimeve të paarsyeshme dhe të bashkëngjiten për rikthimin e studentëve aty ku e kanë vendin, në Universitet”, thuhet në mbishkrimin e këtij peticioni.