Në Prokurorinë Themelore në Gjilan, sot, një grup studentësh nga Fakulteti Juridik ‘’Kadri Zeka’’, kanë realizuar një vizitë studimore, të cilët kishin për qëllim njohjen në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë institucion.
Qëllim kryesor i kësaj vizite, ishte edukimi dhe marrja e njohurive praktike dhe të drejtpërdrejta nga kjo prokurori, ku me këtë rast, studentëve mirëseardhjen ua shprehu Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, si dhe prokurori i shtetit, Agron Uka, i cili edhe ligjëroi para tyre.
Kryeprokurori, fillimisht e vlerësoi vizitën e tyre dhe të njëjtit i njoftoi mbi rolin, organizimin, funksionimin dhe kompetencat e kësaj prokurorie.
Ndërkaq, prokurori Agron Uka, i njoftoi të pranishmit me procedurat sa i përket strategjisë së trajtimit të lëndëve, që nga pranimi i kallëzimeve penale, faza e hetimeve, e deri tek ngritja e aktakuzave, pushimi i hetimeve apo hudhja e kallëzimeve penale, si dhe përfaqësimi i rasteve penale në gjykata.
Takimi vijoi si bashkëbisedim i lirë, me ç’rast kryeprokurori dhe prokurori i shtetit iu përgjigjën interesit të studentëve, të cilët u fokusuan mbi aspekte të ndryshme, si marrëdhëniet e prokurorisë me gjykatat dhe institucionet e tjera të drejtësisë, organizatat ndërkombëtare, ligjet që e rregullojnë sistemin prokurorial, mënyrën e kryerjes së rasteve, si dhe transparencën dhe llogaridhënien e këtij institucioni.