Organizata “Demokracia Studentore” po proteston para rektoratit të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, kundër veprimeve të drejtuesit të këtij institucionit, rektorit Marjan Dema.
Protesta e po mbahet në shenjë pakënaqësie me menaxhimin e UP-së me moton “Shkatërrimi i arsimit është shkatërrim i kombit”, raporton Ekonomia Online.
Protestuesit mbanin në duar pankarta në të cilat shkruhej se dorëheqja e rektorit nuk mjafton dhe se duhet të jepet llogari për “skandalet e shumta”.
Para tyre ka dalë prorektorja Teuta Pustina-Krasniqi e cila ka kërkuar që ata të takohen me drejtuesit e UP-së në sallën e senatit, mirëpo studentët kanë këmbëngulur që rektori të dalë para tyre.
Pustina-Krasniqi tha se janë të gatshëm të pranojnë çdo ide konstruktive të studentëve.
Më pas rektori Marjan Dema, tha para studentëve se është i gatshëm të jap përgjegjësi për çdo gjë. Sipas tij, kjo është hera e tretë që ky grup i studentëve kanë protestuar dhe asnjëherë nuk kanë biseduar me të.
“Nuk kisha dashtë që UP të merret me këto çështje që nuk janë akademike. Fillimisht për heqjen e flamurit, pastaj kisha nuk ka qenë përgjegjësi e imja. Për çështje që i pash depononin në organet, edhe pse nuk bie në barrë time. Ejani bisedojmë brenda kështu i ka hije UP-së e jo të merremi me protesta të pa bazuara”.
Ai ka debatuar me studentët me tone të ashpra duke i kundërshtuar ata e duke kërkuar që të gjitha vërejtjet të deponohen në prokurori, raporton EO.
Mexhid Ramëmusa, nga “Demokracia Studentore”, tha se që një kohë të gjatë është duke i monitoruar proceset e menaxhimit të Universitetit të Prishtinës nga rektori Dema dhe ka evidentuar shumë pa rregullsi që po i bëhen universitetit, nga tenderi te pishat e deri tek avancimet e paligjshme.
Ramëmusa tha se gjatë kohës sa po diskutonte me rektorin u kërcënua nga njëri prej pjesëtarëve të sigurimit.