Studentët protestojnë para MAShT-it, rreth punësimeve partiake

Prishtinë | 14 Jan 2019 | 15:30 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësues të studentëve nga të gjitha universitetet publike të Kosovës kanë paralajmëruar protestë më 16 janar para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

Protesta do të mbahet rreth punësimeve partiake në këtë institucion si dhe emërimeve politike në këshillat drejtuese të universiteteve publike, raporton Ekonomia Online.

Diar Statovci, përfaqësues nga Grupi i Pavarur i Studentëve, tha se zhvillimet e fundit brenda MAShT-it si dhe emërimi i njerëzve partiak brenda bordit të UP-së, ka shtyrë këta studentë që ta mbajnë këtë protestë.

“Duke pasë parasysh zhvillimet e fundit në MAShT brenda kampuseve universitare ne si grup i pavarur studentor në bashkëpunim me të gjitha organizatat studentore të universiteteve publike kemi pasë parasysh që të organizohet një protestë para MAShT-it që do jetë protestë simbolike, meqë ministri ka bërë punësim në numër të madh të militantëve partiak brenda MAShT-it si dhe emërimin e njerëzve partiak në bordet e universitetit të Prishtinës”.

“…poashtu futja në grevë e studentëve të FShMN-së për mos ndërtimin e objektit, kanë një kauzë të drejtë, si dhe zgjedhja e rektorit në universitetin e Prizrenit në mënyrë të jashtëligjshme besoj që janë disa prej arsyeve për me mbajtur këtë protestë, kjo protestë përmban një zgjim studentor, protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Statovci.

Statovci tha se ata kanë tentuar ta diskutojnë edhe me ministrin Shyqyri Bytyqi çështjen e politizimit të Universiteteve dhe kanë kërkuar nga ai depolitizimin e tyre.

“Për ndërtimin e FShMN-së ka vite që është bërë kërkesa dhe kemi marrë premtime boshe, poashtu ne kemi tentuar me diskutuar edhe me ministrin dhe e kemi paralajmërua që emërimi i militantëve partiak brenda ministrisë dhe universitetit po e bënë politizimin e universitetit dhe kemi pritë nga ministri që do ta bëjë politizimin e saj pasi që kjo është një brengë që nga paslufta”.

Ndërsa Milot Krasniqi, kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin e Prizrenit, tha se me këtë protestë ata do kërkojnë nga ministri Bytyqi që t’i largojë militantët e futur në MAShT dhe kampuset universitare, raporton EO.

“Jemi mbledhur këtu që të paralajmërojmë këtë protestë simbolike e cila do mbahet pasnesër, qëllimi i kësaj proteste është i njëjti që të gjitha parlamentet studentore kërkojmë nga ministri shkarkimin e militantëve partiakë të cilët i ka futur”.

Krasniqi tha se kjo protestë po mbahet edhe me pakënaqësitë dhe parregullsitë që po bëhen në Universitetin e Prizrenit, si zgjedhja e jashtëligjshme e rektorit të saj si dhe mos ndarja e bursave pavarësisht kërkesës së studentëve tash e disa vite.

“Shembull e kemi Universitetin e Prizrenit ku çdo mbledhje që bëhet aty nga këta militantë aty bëhet një vendim i jashtëligjshëm. Kemi rastin e rektorit i cili është i zgjedhur jashtëligjshëm ku statuti thotë që rektori zgjidhet me dy të tretat e votave, ai rektorë është zgjidhur me 4 vota”.

“E kemi problemin tjetër të bursave, pasi rrafsh qe 3 vite nuk ka bursa, kërkesa jonë ka qenë një kohë të gjata për këto bursa dhe ka ra në vesh të shurdhër”.

Të ngjashme