Studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK) do ta vazhdojnë mësimin, por në formën online, pasi Qeveria e Kosovës mori dje vendim që në të gjitha institucionet arsimore publike dhe private të ndërpritet procesi mësimor, si masë parandaluese kundër Coronavirusit.
Përfaqësues të RIT Kosovo (A.U.K) kanë treguar për Ekonomia Online se kjo nuk është një formë e re për këtë institucion dhe se procesi mësimor, tani në mënyrë virtuale, ka nisur që sot dhe po zhvillohet normalisht.
Presidenti dhe dekani i RIT Kosovo (A.U.K), Kamal Shahrabi, deklaroi se kanl qenë i përgatitur dhe tani studentët e kanë mundësinë të mësojnë përmes platformave online, ku studentët mund të qasen nga shtëpitë e tyre.
Shahrabi tregoi për Ekonomia Online edhe mënyrën e ligjërimit nga mësimdhënësit dhe pranimin e ligjëratës nga studentet.
“Gjatë dy javëve të shkuara, udhëheqësja e kolegjit në bashkëpunim me profesorët kanë punuar rreth kësaj sfide ku të gjithë personeli, profesorët dhe studentët janë shkathtësuar mbi teknologjitë që kemi në dispozicion. Përmes platformave online siç janë “MyCourses” nga kampusi ynë i RIT në New York, platformës “BlueJeans”, “Zoom”, etc. mundësohet që klasat të ofrohen online, andaj sot orët mësimore janë duke u mbajtur sipas orarit, vetëm se studentët qasen nga shtëpitë e tyre”.
“Praktikisht studentët janë sikur në klasë, ngase e kanë mundësinë që të dëgjojnë ligjëratat, të shohin përmes videos profesorët e tyre, të bëjmë pyetjet e tyre, me zë apo me shkrim në platformë, dhe të marrin përgjigjen menjëherë. Në të njëjtën kohë një përparësi e teknologjive të tilla është që ligjërata incizohet dhe ata mund t’i qasen asaj në çfarëdo kohe gjatë të gjithë semestrit. Përmes platformave online të bashkëpunimit, studentët mund të komunikojnë me studentët tjerë si dhe me profesorët e tyre”.
Mes tjerash, ai njoftoi se vetëm në sesionet e paradites janë mbajtur shtatë ligjërata. Siç tha ai në këtë mënyrë nxënësit nuk do të humbin ligjëratat.
Me tej, ai tha se shpreson se virusi mos të prek Kosovën, pavarësisht se AUK do të vazhdojë të mbaj të sigurt studentët.
“Deri më tani, në sesionet e paradites sot, janë mbajtur shtatë ligjërata në këtë formë dhe nuk kemi vërejtur ndonjë problem. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë sistemin për të siguruar që studentët të marrin shërbimin më të mirë dhe që mos ta ndiejnë mbylljen fizike të kampusit dhe që të ekspozohen në një përvojë të re të mësimit”.
“Për sa i përket ligjëratave, studentët që ndjekin ligjëratat online do t’i ekspozohen gati të gjitha karakteristikave të ligjëratës si të mbahej në klasë. Kjo do të thotë që ata e shohin profesorin e tyre duke ligjëruar, i shohin shënimet në “tabelë të zezë” dhe në çfarëdo kohë që kanë ndonjë pyetje, mund ta bëjnë atë menjëherë. Tash fizikisht nuk janë aty, mirëpo fotografia e zëri janë aty. Unë shpresoj se virusi nuk do vijë fare në Kosovë dhe se ende nuk kemi ndonjë rast të konfirmuar të infektimit dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të mbajmë komunitetin tonë të sigurt”, u shpreh ai.
Kurse Visar Jasiqi, shef i zhvillimit në RIT Kosovo (A.U.K), ka treguar për Ekonomia Online se sot por edhe gjatë javës së ardhshme ligjëratat në këtë Kolegj do të mbahen online. Kjo sipas Jasiqit është si pjesë e planit të emergjencës i cili implementohet në të kampuset e tyre edhe në Amerikë, Dubai , Kroaci dhe në Kinë.
“Ligjërimi online është paraparë në rast të ndonjë pandemie të mundshme, dhe tash me rastin e konfirmimit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ne kemi filluar me implementimin e procesit mësimor i cili bartet nga ai fizik në atë online. Të gjithë profesorët dhe studentët janë trajnuar ka dy javë më parë mbi potencialin që të lëvizin ligjëratat ne formën online. Teknologjitë e këtij shekulli mundësojnë që i gjithë procesi mësimor të mbahet dhe studentët të qasen nga shtëpia.”, ka thënë Jasiqi.
Ai ka treguar se çdo student në vitin e parë të studimeve e merr një laptop që është pjesë e procesit mësimor dhe i cili është pronë e studentit për katër vite të studimit.
“Kjo i mundëson studentit që të ketë të gjitha pajisjet për tu qasur në ligjëratat online. Të gjitha lëndët janë duke u mbajtur. Javën e ardhshme studentët do të dalin në pushimin pranveror. Sot kanë qenë ligjëratat e para online, edhe javën e ardhshme do të jenë ligjëratat online”.
Sipas tij, të gjitha lëndët mund të mbahen online. “Janë disa lëndë që kërkojnë qasje fizike në laborator, por, ato janë programuar, që gjatë kësaj jave nuk ka nevojë për qasje laboratorike. Javët në vazhdim kur shpresojmë që të kalojë ose të minimizohet rreziku i shpërndarjes së pandemisë të kthen gradualisht studentët në kampus”.
Jasiqi ka sqaruar se profesorët mund të ligjërojnë edhe nga shtëpia. “Kështu që është e drejta e profesorëve të zgjedhin si iu përshtatet më shumë. Sot kemi pasur disa profesorë që kanë ardhur këtu dhe i kanë mbajtur ligjëratat nga zyrat e tyre ose nga ambientet e klasës dhe disa të tjerë që i kanë mbajtur nga shtëpia”, tha ai.
Ai tha se deri tash ligjëratat janë mbajtur online dhe nuk kanë pasur ndonjë problem.
“Teknologjia e re e mundëson që të gjitha ligjëratat të incizohen, kështu që në rast se ndonjë student nuk ka qasje në internet për një kohë të caktuar, atëherë, mund t’i kthehet ligjëratës më vonë dhe ta shikojë të gjithën. Shumica e studentëve janë paraqitur. Vlen të theksohet se secili student në Kosovë ka të drejtë t’i mbajë dy ligjërata online edhe gjatë kurrikulës së rregullt edhe në rastet kur nuk ka pandemi ndaj për shumë prej tyre është i njohur procesi i mësimit online”, tha Jasiqi për Ekonomia Online.
Pas shpalljes së gjendjes së pandemisë nga OBSh-ja, Qeveria e Kosovës, në mesin e masave për parandalimin e Coronavirusit ka marrë vendim për ndërprerjen e procesit edukativ-arsimor në të gjitha institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020.