Pjesë të ndryshme të Shkupit janë përfshirë nga një stuhi e fuqishme pasditen e së mërkurës.
Rrugë të vërshuara, vetura të përmbytura, e pemë të rrëzuara janë vetëm disa nga pasojat që ka sjell shiu i rrëmbyeshëm në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
Si pasojë e situatës, Komuna e Çairit ka apeluar qytetarët që të kenë kujdes dhe t’i shmangin zonat e prekura nga vërshimet.
Sipas një njoftimi për media, nga kjo komunë kanë thënë se kanë aktivizuar shtabet emergjente dhe se ekipe do të jenë në terren gjatë gjithë natës për të intervenuar aty ku paraqitet nevoja.
“Shërbimet komunale do të jenë në dispozicion gjatë gjithë natës për të reaguar ndaj çdo situate të shkaktuar nga reshjet dhe erërat e forta. Apelojmë te qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me shërbimet kompetente”, thonë nga Komuna e Çairit.