Luis Suarez i ka lartësuar aftësitë e, siç e quan ai – të jashtëzakonshmit Lionel Messit – për të qëndruar me këmbë në tokë përkundër arritjeve rekordthyese në Barcelonë.
Argjentinasi plot gjallëri ka kohë që cilësohet si njëri prej futbollistëve më të shquar të kësaj apo cilësdo epokë, me arritjet e tij të mrekullueshme që e kanë ngritur nivelin e shkëlqesisë individuale.
Ai ka grumbulluar çmime të panumërta individuale, përfshirë pesë Topa të Artë dhe një total mahnitës prej 552 gola për Barcelonën.
Messi, megjithatë, ka qenë lojtar ekipor gjatë karrierës së tij në “Camp Nou”. 30-vjeçari është dëshmuar koleg vetëmohues për Suarezin dhe pjesën tjetër të lojtarëve në klubin katalonas.
“Leo është kolegu dhe miku im. Ai është person shumë i mirë dhe njeri familjar”, ka thënë Suarez për Kicker për njeriun përkrah të cilit i ka kaluar katër sezone të jashtëzakonshme.
“Në të unë nuk e shoh Messin që pjesa tjetër e botës e sheh”, shtoi ai.
“Por, edhe për mua ka momente në fushë kur e kuptoj se çfarë futbollisti madhështor është ai dhe çfarë gjërash të jashtëzakonshme bën ai”, shpjegoi Suarez.
“Na pëlqen të argëtohemi, të pimë dhe nganjëherë të darkojmë bashkë. Kjo ka rezultuar në një marrëdhënie shumë të mirë. Dhe me kalimin e kohës edhe në besim. Në futboll është e vështirë ta gjesh një mik të vërtetë, veçanërisht një me të cilin luan në pozitën e njëjtë. Në ekip ka shumë egoistë. Por, në ekipin tonë [Barçë] kjo gjë nuk ndodh kurrë. E kemi dëshmuar këtë përgjatë viteve”, tregoi ai.
“Messi më ka ndihmuar ta fitojë Këpucën e Artë. Nuk ka xhelozi mes nesh, vetëm krenari që i ndajmë gjërat së bashku”, shtoi Suarez.