Luis Suarez nuk do ta ketë të lehtë kalimin te Juventusi. Sulmuesi uruguajuan rivalizohet së fundmi edhe nga shoku i tij i kombëtares Edinson Kavani, i cili ende nuk ka gjetur ekip të ri, edhe pse u përfol se do të firmoste me Benfikën.
“Calciomercato” dhe “Sky Sport Italia” shkruajnë së fundmi se drejtuesit e Juventusit po listojnë disa alternativa pas vendit bosh që do të lihet nga Gonzalo Higuain.
Edin Xheko, Arkadiush Milik dhe së fundmi Edinson Kavani konsiderohen si 3 favoritët për të marrë rolin e “pykës” te kampionët e Italisë.
Suarez dhe Kavani kanë të njëjtat kërkesa financiare (10 milionë kërkojnë të paguhen në vit), por nëse “El Pistolero” nuk akomodohet së shpejti në një ekip të ri, “Zonja e Vjetër” mund ta nxjerrë nga lista dhe t’i japë prioritet Kavanit.
Trajneri i ri i Barcelonës Ronald Kuman i bëri të qartë Suarezit në një bisedë telefonike prej 1 minutë e 30 sekondash se nuk e ka në plan për të ardhmen.