Subjektet opozitare në Komunën e Novobërdës: Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Kosovën e Re, kanë akuzuar të mërkurën pushtetin komunal për jotransparencë.
Akuzën ia kanë faturuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila sipas tyre është duke minuar përpjekjet e tyre të cilat kanë për qëllim rritjen e transparencës në këtë komunë.
Këto subjekte kanë ngritur si shqetësim mungesën e informatave në gjuhën shqipe në webfaqen e Komunës ngase edhe më tej nuk janë plotësuar informatat sa i përket drejtorive komunale, si dhe ka mungesë të informatave për këshilltarët komunalë, mungesë të informatave sa i përket zyrave komunale si dhe aspekte të tjera.
Abdyl Gashi, këshilltar komunal nga radhët e VV-së, deklaron se ka parashtruar kërkesë që seancat e Kuvendit Komunal të transmetohen online në uebfaqen e Komunës, mirëpo thotë se kërkesa e tij asnjëherë nuk është marr seriozisht. Thotë se nuk ka gatishmëri për transparencë nga ana e pushtetit komunal përkundër që opozita është duke ushtruar presionin.