Shumica e subjekteve politike që kanë pasur borxhe të shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i kanë paguar ato, përveç koalicionit “Sloboda”, i cili nuk ka paguar borxhin nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës, të vitit 2019.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku, i cili shtoi se koalicioni “Sloboda” i ka borxh PZAP-it, shumën prej 5,100 euro.
Sipas tij, subjektet tjera politike i kanë paguar borxhet përfshirë edhe Listën Serbe e cila ka paguar gjobën prej 20.000 euro, nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, për kryetar të Komunës se Mitrovicës së Veriut.
“Gjoba (5100 euro) i ka pa paguar vetëm koalicioni “Sloboda” nga Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend te Kosovës të vitit 2019. Tjerat S.P. i kanë paguar gjobat përfshire edhe gjobën në shumë prej 20.000 eurove të Listës Serbe nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, për kryetar të Komunës se Mitrovicës së Veriut”, ka thënë Desku.
Edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi për Telegrafin sqaroi se në mesin e detyrimeve ligjore që subjekti politik duhet t’i përmbushë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje është edhe shlyerja e gjobave.
Elezi theksoi se KQZ-ja do të kërkojë konfirmim me shkrim nga PZAP-ja nëse subjektet politike që do të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje i kanë paguar gjobat.
“Në mesin e detyrimeve ligjore që subjekti politik duhet t’i përmbushë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje është edhe: shlyerja e gjobave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë konfirmim me shkrim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse subjektet politike që do të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje i kanë paguar gjobat”, sqaroi Elezi.
Ndryshe, ende nuk ka filluar aplikimi i subjekteve politike në KQZ për tu certifikuar në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
Ndërkaq, KQZ-ja ka vendosur që fushata zgjedhore për partitë politike për zgjedhjet e parakohshme të zgjasë 10 ditë, nga data 3 shkurt e deri më 12 shkurt.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar që zgjedhjet parlamentare të parakohshme të mbahen më 14 shkurt.